“Është një sfidë e re, pasi deri tash nuk kemi pasur mundësi të ballafaqohemi me ekipe nga jashtë në gara zyrtare. Kredibiliteti i kësaj lige po zbehet për çdo ditë dhe po del që liga nuk është më e fortë sa ka qenë. Por, prapë se prapë, për ekipet kosovare është një mundësi e re, që të ballafaqohen me disa ekipe të rajonit, edhe pse nuk janë më të mirat në ligat përkatëse”, deklaroi fillimisht trajneri i njohur, Jeton Nixha, për Express.
“Sa e kam parë unë, në Ligën Ballkanike nuk janë ekipet më të forta sesa Prishtina e Peja. Unë mendoj se njëri prej ekipeve tona mund të shkojë deri në ‘final-four’, pasi nuk mungon entuziazmi, pasi është sezon debutues”, shtoi Nixha, i cili është i brengosur për faktin se ekipet po marrin shumë lojtarë të huaj dhe vendorët po mbesin nën hije.
Sipas tij, drejtuesit e Ligës Ballkanike e kanë futur Pejën vetëm për shkak se disa ekipe janë larguar nga kjo ligë. Në të kundërtën, ai insiston se verdh e zinjtë nuk do të ishin pjesë e këtij turneu këtë sezon.
Ballkan Ligën ai e sheh si dritaren e parë për të vazhduar dhe për të pasur mundësi për të hyrë në liga të tjera, që janë më të organizuara dhe më të mira.
Ndërkohë, edhe trajneri Naser Oskaçek beson se klubet nga Kosova mund të kenë paraqitje të mira në Ligën Ballkanike, por mendon se nevojiten përforcime të mëdha nga të dyja ekipet.
“Ekipi i Pejës dhe ai i Prishtinës mund të ballafaqohen me ekipet tjera dhe mund të jenë të suksesshme në Ligën Ballkanike, por iu nevojiten së paku nga tri përforcime, pasi me forcat tona vështirë se mund të bëjmë diçka. Neve na intereson të ngritët kualiteti dhe të shtohet interesimi”, tha trajneri prizrenas, i cili e konsideron këtë kompeticion si test për ekipet kosovare.
Ai e vlerëson këtë si një test të parë për ekipet kosovare, ndërsa nuk pret që të bëhet ndonjë hap tjetër për pjesëmarrje në një ligë më të fortë, së paku edhe 3-4 vjet, raporton Express.
Sigal Prishtina dhe Peja do ta thyejnë sivjet izolimin shumëvjeçar të basketbollit kosovar, duke marrë pjesë në Ligën Ballkanike.
Duke e pasur parasysh që në këtë eveniment marrin pjesë ekipet e ranguara më poshtë në ligat përkatëse, ekziston një shpresë që kampioni dhe nënkampioni i Kosovës të dalin mirë qysh në sezonin e parë. /Telegrafi/