Janë larguar masat kufizuese që kishte vendosur Qeveria e Kosovës për fundjavë.
Sot ka filluar veprimtaria e ta gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, transmeton Telegrafi.
Vlen të theksohet se, Qeveria kishte ndaluar punën e bizneseve të përmendura më lartë për dy ditë, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.
Po ashtu, karantina nuk vlen më as për Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes.
Në vendimin e së premtes, Qeveria kishte ndaluar hyrjet/daljet e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020, në Komunën e Prishtinës , Fushë Kosovës, Gjilanit , Obiliqit , Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes.
Ndryshe, trendi i rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë është duke vazhduar, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 730 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 755.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse në mënyrë që të mos ketë mbyllje totale./Telegrafi/