Telegrafi

Prishtina dhe Ferizaj zhvillojnë të mërkurën ndeshjen vendimtare në Superligën e femrave në hendboll

(Foto: kosovahandball.info)

Prishtina dhe Ferizaj e luajnë të mërkurën mbrëma ndeshjen vendimtare për vend në finale të ‘play-offit’ në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).

Pas dy ndeshjeve, rezultati është 1-1. Ndërkohë, gjysmëfinalja e tretë zhvillohet nesër në mbrëmje nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.

Prishtina e kishte fituar ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 39-32. Në Ferizaj skuadra vendase kishte fituar me shifra 33-28.

Dy ndeshjet ishin interesante, ndërsa edhe për ndeshjen e tretë pritet hendboll i mirë dhe rivalitet deri në fund.

Të dyja skuadrat synojnë finalen, ku tashmë është Istogu. Istogu në gjysmëfinalen tjetër të ‘play-offit’ pas dy ndeshjeve e eliminoi Vushtrrinë, kampionen e vitit të kaluar.