Site icon Telegrafi

Prishtina dhe Eliza

Zakonisht, për të shkruar një parathënie të një libri, ftohen shkrimtarë të cilët kanë një renome të të shkruarit në fushën përkatëse. Unë këtu jam një përjashtim. Për mua është me siguri privilegj i veçantë ta shkruaj parathënien për librin e Eliza Hoxhës, “Qyteti dhe Dashuria”, së paku për dy arsye. E para, se kam qenë pedagog i saj në universitet, dhe e dyta – se kam pasur rastin të punojmë së bashku edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe në praktikën private të planifikimit urban.

E orientuar për të punuar në mënyrë shumëdimensionale në zhvillimin e qytetit, Eliza është dëshmuar si arkitekte dhe urbaniste kreative në praktikë, pedagoge në Universitetin e Prishtinës, por edhe si vështruese kritike e zhvillimit urban të Prishitnës.
“Qyteti është i përkohshëm”… është album i ndërtesave, kujtimeve, ideve dhe traditave… Botimi i librit “Qyteti dhe Dashuria” vjen në një kohë kur vëmendja rreth zhvillimit të Prishtinës është duke u rritur, posaçërisht sa i përket sferës publike e cila nuk i takon vetëm prishtinasve, por tërë Kosovës. Sepse, është kryeqytet dhe u përket të gjithë kosovarëve. Dhe, pavarësisht nëse dikush këtë libër mund ta kuptojë edhe si kritikë të qeverisjes aktuale të Prishtinës, ai dokumenton në mënyrë kritike zhvillimet e kohës duke artikuluar përparimet, por edhe ngecjet dhe parregullsitë në zhvillimin urban të cilat janë evidente dhe të cilat me një përkushtim profesional e veçanërisht me dashuri të të gjithëve ndaj Prishtinës, do të mund të bënim jetën në kryeqytetin tonë më cilësor.

Libri i Eliza Hoxhës mëton ta theksojë dashurinë ndaj qytetit si faktorin vendimtar për krijimin e kushteve që qytetarëve t’u ofrojë një mjedis jetësor inspirues kreativ. Dhe, dashuria nuk është e mjaftueshme të manifestohet vetëm në mënyrë verbale përmes deklaratave “Love Prishtina”, ose të sloganeve zgjedhore si “Forca Prishtina”, “Për një Prishtinë të re!”… Më shumë se kaq, dashuria ndaj qytetit duhet të manifestohet përmes mendjes kreative të njerëzve, të cilët, duke shfrytëzuar resurset ekzistuese, mund ta përparojnë qytetin dhe ta bëjnë atë një mjedis më të mirë për të jetuar në të. Dhe, kreativë mund të jenë të gjithë – inxhinierë, sociologë, urbanistë, ndërmarrës, historianë, ambientalistë, artistë, arkitektë, por edhe të gjithë njerëzit që jetojnë jetën e tyre të thjeshtë në qytet, por megjithatë të rëndësishme për ta.

Dashuria është për qytetin si mjedis i ndërtuar dhe ndërtesat që e identifikojnë atë, për lumin që vazhdon të mbulohet dhe gjelbërimin që zvogëlohet, për njerëzit po ashtu, të cilët megjithatë e bëjnë qytetin të gjallë, jeta e të cilëve varet nga qyteti, por edhe qyteti varet nga ta.

Dashuria është edhe për monumentet kulturore, por dhe ngjarjet kulturore të cilat Prishtina i kultivon tash e sa kohë, dhe për të cilat, të gjithë ne që jetojmë në Prishtinë dhe ata që Prishtinën e duan si prishtinas, duhet t’i dashurojnë me xhelozi!

Libri “Qyteti dhe Dashuria” është një përmbledhje e shkrimeve në gazetat ditore kosovare, në të cilat Eliza Hoxha, përmes metodës së rrëfimit, pasqyron zhvillimin e Prishtinës në periudhën e pasluftës, duke përdorur krahasime nëpër historinë e zhvillimit urban të Prishtinës. Dhe, krahasimet janë në sferën e zhvillimit social, kulturor dhe politik të përqendruara në Prishtinë. Ndërkaq, shembujt e qyteteve të suksesshëm shërbejnë për ta ilustruar dashurinë ndaj qytetit, kreativitetin i cili buron nga njerëzit lokalë të talentuar të cilët u prijnë qytetarëve fanatikë në ndërtimin e ëndrrës së përbashkët për qytetin e tyre.

Në këtë rrëfim, ajo shpesh përdorë metaforën dhe alegorinë, me qëllim që librit t’i jep një vulë personale e cila e identifikon atë jo vetëm si arkitekte, por dhe shkrimtare e shkathtë e cila me një gjuhë të thjeshtë profesionale, e bën librin të afërt për auditioriumin më të gjerë të lexuesve.

“Është vend ku ndodhin ngjarjet kryesore historike, ku ndërtohet arkitektura monumentale, merren vendimet e mëdha, krijohen vepra të mëdha artistike”.

Në kërkim të identitetit të Prishtinës, autorja hulumton copëzat e mozaikut të cilat mund ta sajojnë një identitet të ardhshëm, sepse tashmë është e qartë se Prishtinës nuk i ka mbetur shumë prej veçorive të cilat e kanë shquar si qytet otoman të Ballkanit, përveç shpirtit optimist të qytetarëve të saj. Kërkimi i lumit që mbulohet, ngjyrave të “bashkuara”, lojës, jetës së natës, dashurisë së premtuar, vuajtjet, veshjet, trashëgimisë së shkatërruar, hapësira publike e transformuar në aspektin social dhe fizik… Dhe, identiteti i kërkuar përpëlitet në mes qytetit otoman, qytetit modern-socialist dhe qytetit në tranzicion, ku ekonomia-politika e parasë dominon. Cila ishte qendra e Prishtinës ose sa qendra i ka Prishtina, si u transformua jeta publike gjatë këtyre periudhave në mënyrë diskontinuale me pasoja fatale edhe për mjedisin e ndërtuar dhe trashëgiminë kulturore. Xhamia e Llukaqit, kisha e Shën Prenës, Korzo, “Zahiri”… janë toponime që identifikojnë kohëra të ndryshme, ngjarje të ndryshme në vendet e njëjta.

Identiteti i Prishtinës në periudhën e pasluftës është improvizimi i qytetit ose qyteti i improvizuar. Qytet i improvizuar në të gjitha sferat e jetës.

Në qytetin e premtuar Eliza Hoxha e shtjellon qytetin si mjedis politik, ku gara politike përmes premtimeve dhe iluzioneve të pamundura, nxitë njerëzit të besojnë se partitë – qeveria punon për të mirën e përgjithshme. Dhe prej “menysë” së ofruar, qytetarët zgjedhin në bazë të shijes tashmë të provuar. Përfytyrimet parazgjedhore për Prishtinën, të qytetit prej letre dhe qëllimet e zhvillimit urban, të cilat nuk gjenë zbatim. Përmes pyetjeve lidhur me këto qëllime lexuesi nxitet të reflektojë se çfarëdo të duhej të jenë kërkesat për ata që pretendojnë udhëheqjen e Prishtinës në mënyrë që jeta e tyre të jetë më cilësore.

Kështu, sloganet vizonare, si Qyteti Universitar, Qyteti Port, Qyteti Rajon, Qyteti Multikulturor, Qyteti i Gjelbër… konkurrojnë për vizionin e ri të Prishtinës, secili me arsye dhe me sfond tashmë të ndërtuar dhe imazh të konstruktuar. A do të jetë qyteti universitar qytet i dijes? A do të jetë Prishtina porti i Kosovës për ata që vijnë nga jashtë, apo do të jetë lima “shpëtimi” për një të tretën e kosovarëve të cilët çdo ditë kërkojnë “jetën e premtuar” në Prishtinë? Një qytet rajon që mund të shndërrohet në qendër biznesi e tërë Kosovës. Dhe, po ashtu një qytet ku ndikimi i kulturave të ndryshme pas luftës ka mundur të shfrytëzohet si potencial për promovimin e qytetit multikulturor. E, për qytetin e gjelbër, Gërmia mund të jetë një metaforë për ta pasqyruar një politikë që qyteti i ndërtuar duhet ta ndjekë.

Por, cilido vizion kërkon një udhëheqje me vizon dhe strategji të përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave dhe arritur qëllimet të cilat i artikulon vizioni. Udhëheqje e cila ka vizion edhe për organizimin administrativ të qytetit për t’i shfrytëzuar:

Aftësitë dhe përkushtimin e profesionistëve për të punuar për qytetin.

Aftësitë dhe përkushtimin e njerëzve të bazës – nëpër lagje për t’u involvuar.

Energjinë e madhe të rinisë pas luftës.

Pozitën gjeopolitike – Prishtina si Kryeqytet i Kosovës: në qendër të Kosovës.

Momentumin global historik pas vitit 1999.

Kështu, Eliza ia përkujton “Mayorit” të Prishtinës tre faktorë themelorë për strategji të suksesshme të qeverisjes me qytetin:

Koha: Rëndësia e dimensionit kohor në prognozat zhvillimore me listën e gjatë të gjërave të mëdha për zbatim, shumica të paarritshme, listë e cila do të duhej të ishte shumë më e shkurtër, përmbajtjesore dhe e matshme e që nuk do të thotë se do të ishte më pak e vlefshme.

Njerëzit: Aftësitë që si menaxher kryesor i kryeqytetit të rekrutojë potencialet e reja, si individë, entitete, ekspertizën akademike për të diskutuar për rrugëtimin e ardhshëm të qytetit si dhe selektimin, bazuar në pikëpamje subjektive dhe të ngjyrosura me ngjyra politike.

Resurset: Pozita e Prishtinës si kryeqytet me mënyrën e tashme të ndarjes së buxhetit shtetëror nuk jep mundësi të mëdha për të premtuar ndryshime, por, siç thoshte Adri Hartkoorn, një mik yni nga Holanda: “Paratë nuk janë më të rëndësishmet. Me rëndësi është të propozimi – një ide e mirë të cilën të gjithë do të ishin të lumtur ta përkrahin financiarisht.”

Ka diçka që identifikon qytetet me stinët. Stinët e Prishtinës e bëjnë atë të veçantë. Por, pranvera në Prishtinë e kënduar nga Neki në De Rada në dimrin e 2008-s, vjen për pavarësinë e Kosovës për të reflektuar dashurinë dhe mirësinë në sytë e botës.

Imagjinata për qytetin vjen nga njerëzit të cilët e duan Prishtinën, të cilët ia japin zemrën këtij qyteti, i kushtojnë këngën, filmin, poezinë dhe pikturën urbane sikur që bën Dita Ethemi në Bruksel, apo artistët në Jazz Festivalin ose koncertet për 200 vjetorin e lindjes së Chopinenit. Dhe “Xixëllonjat”, fëmijët të cilët çdo herë për festa na përkujtojnë se “…ngjyra është dritë dhe drita është energji… se qytetin duhet ta imagjinojmë për gjeneratat që vijnë duke flakur modelin egocentrik, injorant dhe apatik të qytetarit, që nuk sheh asgjë përtej vetes, Prishtinë… sy më sy, që të bën të ndjesh aromën, frymën, energjinë dhe gjithçka tjetër që mund të rrezatojë ky qytet…”!

“Qyteti është historik … Ai kurrë nuk është i njëjtë, asnjëherë i parashikueshëm. Por, nuk është as hapësirë e lirë ku njerëzit mund të bëjnë atë që donë…”!
 

Exit mobile version