Të mërkurën (29 korrik) me fillim nga ora 17:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillohet finalja e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.
Prishtina dhe Ballkani do të përballen në kryeqytet për ta fituar trofeun, por edhe për të marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Evropës.
Këto dy skuadra nuk arritën të pozicionoheshin në dy vendet e para në tabelë, prandaj pjesëmarrjen në garat e UEFA-s do ta kërkojmë përmes tentativës finale.
Derisa Drita u shpall kampion dhe siguroi pjesëmarrjen në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, Gjilani u pozicionua në vend të dytë dhe do të luajë në kualifikimet për Ligën e Evropës.
Ballkani që deri në xhirot e fundit ishte në garë për titull, zuri vendin e tretë me një pikë më pak se liderët, derisa Prishtina u rendit në pozitën e katërt.
Sa i përket Kupës, për të arritur në finale, kryeqytetasit eliminuan Drenicën në gjysmëfinale, kurse skuadra nga Suhareka eliminoi Feronikelin.
Postimi i Prishtinës
Të mërkurën finalja e 10-të për trofeun e 7-të
Prishtina të mërkurën duhet të fitojë Kupën e Kosovës, pasi që nëpërmjet kampionatit ishte shumë e dobët para kundërshtarëve shumë të fortë për të dalë në tri vendet e para.
Andaj, në “Fadil Vokrri”, të mërkurën nga ora 17:45, Prishtina do të provojë edhe njëherë të dëshmojë që mund t’ia dalë dhe nuk është vetëm skuadra e katërt me cilësi dhe të sigurojë pjesëmarrjen e katërt rresht në Evropë.
Me shumë lëndime e mungesa, djemtë bardhekaltër kanë besimin që mund të fitojnë trofeun e çmuar të Kupës së Republikës.
Postimi i Ballkanit
Beteja e fundit vendore në kryeqytet, për të vazhduar ‘luftën’ Evropiane. Ndeshja përcaktuese për plasmanin eventual në gara të UEFA-së, klubi dhe të përzgjedhurit e Ismet Munishit do të bëjnë ç’mos për të arritur ëndrrën e shumë brezave duke sjellë trofeun e çmuar në Suharekë.
Pas një edicioni të karakterizuar me shumë punë, emocione dhe përkushtim jemi të bindur së futbollistët që barten peshën e fanellës së portokalltë do t’ia dalin duke triumfuar në kryeqytet, përball FC Prishtinës.
Hendikep i madh është mos prezenca e tifo grupit Xhebrailat për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, pra edhe kjo ndeshje do të zhvillohet pa pranin e tyre.
Na priftë e mbara
Forca Suharekë
Forca Xhebs-at
/Telegrafi/