Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka hapur procedurë disiplinore ndaj Prishtinës për lëshim në organizim të ndeshjes ndaj Ballkanit të dielën, por në disiplinore ka përfunduar edhe klubi nga Suhareka.
Në arsyetimin e KG-së thuhet se ka pasur lëshim në organizim të ndeshjes nga nikoqirja Prishtina.
“15 minuta para fillimit të ndeshjes tifozët vendas ‘Plisat’, kalojnë rrethojat e tribunës jugore dhe përmes shtegut së atletikës, pa i penguar askush, vërsulen në anën veriore, në tribuna ku ishin tifozë mysafir ‘Xhebrailat’, i sulmojnë fizikisht dhe si rezultat i kësaj përleshje tre simpatizues të ekipit mysafir marrin lëndime trupore, njeri nga të cilët dyshohet të jetë lënduar nga mjeti i mprehtë (thikë)”, thuhet në arsyetimin e KG-së.
Tutje në arsyetim thuhet se përkrahësit e Prishtinës kanë ofenduar në kor ekipin dhe tifozët mysafirë, ndërsa të njëjtit siç shkruan në raportin e KG-së, kanë ndezur mjete piroteknike tymuese dhe shurdhuese të fuqishme, me ç` rast kanë dëmtuar barin sintetik.
Nga raportet e zyrtarëve të ndeshjes Prishtina – Ballkani dhe përfaqësuesve të ekipeve, “Xhebrailat” kanë demoluar tri ulëse, ndërsa në tualetin e tribunës veriore kanë dëmtuar katër mbajtëse të letrave, një mbajtëse të dyerve të hekurit dhe është dëmtuar një dritare.
Për rrahjen në tribunën veriore në mes të tifozëve të të dyja klubeve, Policia e Kosovës ka njoftuar të hënën se ka hapur hetime për dy raste.
Ballkani fitoi ndeshjen me rezultat minimal 1-0 me golin e Albion Rrahmanit.