Prishtina në dy ndeshjet e ardhshme si vendase nuk do të luajë në “Fadil Vokrri”, pasi të premten Komisioni Disiplinor i Superligës, ka vendosur në lidhje me incidentin që ndodhi para ndeshjes me Ballkanin.
Klubi nga kryeqyteti është dënuar për organizim të dobët të ndeshjes me Ballkanin, ku tifozët vendas i sulmuan tifozët e Ballkanit, ku tre prej tyre mbetën të lënduar.
“Prishtina dënohet me dy ndeshje zyrtare të radhës jashtë fushës së vet, jashtë qytetit të Prishtinës”, shkruan në vendim.
“Lëshim në organizim të ndeshjes. 15 minuta para fillimit të ndeshjes tifozët vendas ‘Plisat’ kalojnë rrethojat e tribunës jugore dhe përmes shtegut të atletikës, pa i penguar askush, vërsulen në anën veriore, në tribuna ku ishin tifozët mysafirë ‘Xhebrailat’, i sulmojnë fizikisht dhe si rezultat i kësaj përleshjeje tre simpatizues të ekipit mysafir marrin lëndime trupore, njëri nga të cilët dyshohet të jetë lënduar nga mjeti i mprehtë (thikë)”, shkruan në raportin e Disiplinorit.
Për dëmet që i kanë bërë në stadium tifozët nga Suhareka është dënuar Ballkani me 1.000 euro. Ndërkohë Ballkani do të paguajë edhe dëmin e bërë në stadium, por nuk tregohet shuma.
Prishtina duhet të paguajë po ashtu 1.200 euro, e po ashtu dëmin që në stadium e kanë bërë tifozët e saj. /Telegrafi/