Prishtina ka treguar se e ka seriozisht mbrojtjen e trofeut të DigitAlb Kupës së Kosovës pasi e ka demoluar Lirinë me rezultat 4-0 në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.
Prishtina ishte dominuese në Prizren nga fillimi i takimit duke u pamundsuar secilën gjasë vendasve për të bërë ndonjë gjë, ndonëse ishin mbledhur mjaft shikues në stadium.
Dominimi i madh i kryeqytetasve u kurorëzua në minutën e 41 kur Ergyn Ahmeti me një pasim të mrekullueshëm e gjen Meriton Korenicën, i cili nga afërsia shënoi bukur me të majtën për 1-0. Ishte ky goli i dytë në dy ndeshjet e fundit për ish-kapitenin e Lirisë i cili nuk festoi në respekt të tifozëve vendas.
Nuk vonoi shumë dhe asistuesi e futi veten në listën e realizatorëve. Ergyn Ahmeti pranoi një pasim të bukur nga Basit Khalid, duke shënuar përballë portierit vendas për 2-0 (45’).
Liria nisi më mirë pjesën e dytë duke pasur një lloj dominimi, pa ndonjë rast konkret para portës, duke krijuar ndonjë shqetësim për mbrojtjen më të mirë në Kosovë.
Kjo bëri që Arbër Hoxha në minutën e 64 të jetë në pozitë të pastër shënimi, por Flamur Gashi ishte ai që mohoi golin e tretë.
Ai që asistoi te goli i dytë, Basit Khalid (73′), shënoi për 3-0 duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes vendase dhe duke vulosur kështu fitoren.
Në minutat e fundit (89′) ishte sërish Khalid ai që shfrytëzoi vendasit e demotivuar për të realizuar për 4-0.
Me këtë fitore Prishtina kalon në çerekfinale të DigitAlb Kupës së Kosovës, trofe të cilin synon ta mbrojë. /Telegrafi/