Site icon Telegrafi

Prishtina akuzon FFK-në për shtyrjen e ndeshjes: Ndërhyrje në gara dhe favorizim i Ballkanit

Prishtina ka reaguar pasi Komisioni i Grave i FFK-së, ka vendosur ta shtyjë ndeshjen e tyre ndaj Ballkanit, që ishte paraparë që të zhvillohet më 30 tetor (të dielën).

Komisioni ka dhënë një arsyetim, se Ballkani luan në mesjavë ndeshjen në Ligën e Konferencës ndaj Slavia Pragës, gjë që nuk i ka pëlqyer Prishtinës, duke thënë se kjo që ka ndodhur është ndërhyrje në garë dhe favorizim direkt i klubit nga Suhareka.

“Shtyrja e takimit mes Ballkanit dhe ekipit tonë është ndërhyrje direkte në ndershmëri të garës dhe favorizim për ekipin suharekas”.

“Ballkani të enjten do ta vazhdojë aventurën në Evropë, ndërsa suksesi i tyre do të na bëjë të gjithëve krenar, siç na ka bërë deri më tash, por FC Prishtina dhe klubet e tjera në Kosovë nuk e kanë luksin që të presin derisa skuadra suharekase të çlodhet për të zhvilluar një ndeshje derbi dhe të fortë siç kanë qenë ndeshjet në vitet e fundit me Prishtinën!”

“Kjo shtyrje na duket e çuditshme edhe për faktin se skuadra e Ballkanit ndaj Slavia Pragës luan në Prishtinë dhe nuk do të ketë udhëtime të gjata jashtë vendit”, thuhet në komunikatën e klubit kryeqytetas.

Prishtina ia ka numëruar edhe ndeshjet që Ballkani i ka zhvilluar në Superligë pas ndeshjeve në Ligën e Konferencës.

“Përjashtim në këtë rast bënë Prishtina, të cilës i kërkohet shtyrja e ndeshjes, jo për një ditë mirëpo për kohë të pacaktuar!.  FC Prishtina gjithashtu shpreson se Komisioni i Grave në të ardhmen do t’i bëjë më mirë llogaritë pasi që në fillim të edicionit është njoftuar se ndeshja FC Ballkani – FC Prishtina do të zhvillohet më 27.10.2022, ndërkohë që më 24.10.2022 sërish e kemi dërguar orarin ku keni konfirmuar se ndeshja do të zhvillohet më 30.10.2022, e një ditë më pas (sot) njoftohemi se përballja me Ballkanin është shtyrë për kohë të pacaktuar”, thuhet në komunikatën e klubit. /Telegrafi/ 

Exit mobile version