Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se sot janë konfirmuar edhe 82 raste të reja me coronavirus, duke çuar kështu në 1 mijë e 998 numrin e personave të infektuar.
IKSHPK bën të ditur se sot janë testuar gjithsej 456 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, IKSHPK ka njoftuar se sot janë shëruar 7 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 980 raste.
Më së shumti raste janë konfirmuar në Prishtinë, gjithsej 41 raste.
Në komunën e Gjakovës 14 raste. Në komunën e Vushtrrisë 7 raste.
Në komunën e Prizrenit 5 raste, në komunën e Ferizajit 3 raste, komuna e Vitisë 3 raste.
Në komunën e Podujevës 2 raste, komuna e Fushë Kosovës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Klinë, Lipjan, Obiliq, Mamushë dhe Rahovec.
IKSHPK ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”./Telegrafi/