Telegrafi

Prishje teknike, dy hyrje të lagjes ”Lakrishte” pa ujë

Kompania Ujësjellësi Rajonal ”Prishtina”-sh.a. njoftoi konsumatorët e zonës së shërbimit, se që nga dita e sotme ka filluar të përmirësohet dukshëm furnizimi me ujë të pijshëm, ku reduktimet gjatë ditës janë eliminuar tërësisht.

Në komunikatën e lëshuar më herët sot, ceket se ndërprerje uji mund të ketë vetëm nëse ka ndonjë prishje teknike apo punime për ndërrimin e rrjetit të vjetërsuar të ujësjellësit.

Konkretisht, sot bëhet fjalë për hyrjet 1 dhe 2 të lagjes “Lakrishte” në Prishtinë, të cilat nga dita e djeshme kanë ndërprerje të ujit.

Dje në orët e paradites ka ndodhur një prishje teknike në afërsi të këtyre hyrjeve – dëmtim gypi, por që është sanuar menjëherë nga ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujit, por pas një kohe të shkurtër , gypi është dëmtuar sërish, njoftoi KUR.

Ekipet e mirëmbajtjes pritet që t’i sanojnë dëmtimin e gypit deri sot në orën 16:00, thonë nga Kompania, duke kërkuar mirëkuptim nga banorët e lagjes “Lakrishte”. /Telegrafi/