Site icon Telegrafi

Prishja e tarracave, jo të gjithë respektojnë urdhrin (Video)

Me asistencë të policisë u larguan platformat joligjore të lokaleve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Deri te një hap i tillë erdhi pas shkeljes së afatit nga pronarët e bizneseve për largimin e platformave. Autoritet komunale kishin paralajmëruar ditë më parë se nëse vetë nuk tërheqin tarracat, të njejtat do të hiqen me dhunë dhe pa paralajmërim.

“Komuna Çair ka dërguar 35 paralajmërime për largimin e tarracave të vendosura pa leje. 29 prej tyre kanë respektuar këtë paralajmërim dhe vetë kanë bërë largimin e tarracave, kurse 6 prej tyre kanë filluar të largohen gjatë ditës së sotme me ndihmën e shërbimeve policore”, thonë nga Komuna e Çairit.

Pos Çarshisë, heqja e tarracave pa leje vazhdon edhe në pjesët e tjera të kryeqytetit. Kreu i Shkupit Shilegov tha se do të vazhdojë kjo ofensivë derisa prona publike të çlirohet tërësisht nga vendosja e objekteve pa leje.

“Pres që pronarët e atyre lokaleve ta kuptojnë se patjetër të vendoset rend, patjetër të respektohet rendi. Tarracat duhet të vendosen në bazë të rregullores dhe jo kujt si t’i kujtohet. Sigurisht që kompensimi për shfrytëzimin e hapësirës publike patjetër ta paguajnë. Në pjesë të Qytetit patëm vendosje të pajisjeve të ndryshme urbane, vendosje ose pa miratim ose jashtë rregullave, shpresoj se këtë sezon punët dalë ngadalë do të shkojnë në vendin e tyre jo vetëm në Çarshi por dhe në pjesët e tjera të Qytetit”, theksoi Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Ditë më parë komuna e Çairit njoftoi se lokalet kanë afat 5 ditor për heqjen e platformave ilegale. Ndryshe, uzurpimi i hapësirës publike është vepër e ndaluar me ligj e cila sanksionohet./Alsat/

Exit mobile version