Frank Lampard ka pasur një zënkë me shefen për transferime të Chelseat, Marina Granovskaia, para se të shkarkohej nga posti i trajnerit.
Legjenda e Bluve nuk është më në krye të skuadrës dhe kjo është konfirmuar të hënën, ndërkohë që klubi ka rënë në pozitën e nëntë në tabelë.
Porse, sipas The Athletic, një nga arsyet për shkarkimin e 42-vjeçarit ka qenë raporti jo i mirë me drejtoreshën me ndikim, Granovskaia, me të cilën kanë pasur papajtueshmëri të shumta.
Tensionet kishin filluar para një viti kur Lampard e kishte kritikuar publikisht hierarkinë e klubit për mungesën e transferimeve në afatin kalimtar dimëror – transmeton Daily Mail.
Në muajt në vazhdim, i pakënaqur me Kepa Arrizabalagan, tashmë ish-trajneri kishte kërkuar transferimin e një portieri tjetër që kishte nxitur reagimin e drejtoreshës që i kishte kërkuar që ta mbështeste portierin që ishte transferim rekord i Chelseat.
Pos trajtimit jo të mirë të portierit, Lampard kishte kërkuar largimin e Antonio Rudiger, derisa kërkesa e tij e vazhdueshme për transferimin e Declan Rice nga West Ham Unitedi kishte kulmuar me rrënimin e raporteve me Granovskaian që ka ndikuar shumë në shkarkimin e anglezit.
Pakënaqësitë ishin rritur edhe në zhveshtore lidhur me rezultatet jo të mira dhe kritikat publike që ish-trajneri ua bënte lojtarëve. /Telegrafi/