Koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë është prishur.
Burime të Telegrafit bëjnë me dije se koalicioni është prishur pasi rishikimi i buxhetit nuk ka kaluar në mbledhjen e Asamblesë së Pejës.
Bëhet e ditur se vendimi i kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri për prishjen e koalicionit me PDK-në vjen pasi nuk kaloi rishikimi i buxhetit në Asamblenë komunale.
Ndryshe, Ministria e Financave ka kërkuar nga komuna e Pejës t’i ridestinojë disa fonde të projekteve komunale.
Por, gjatë diskutimeve në Asamblenë komunale kjo çështje mori shumë kritika nga asamblistët, duke përfshirë edhe ata të PDK-së, me të cilët LDK-ja në Pejë është në koalicion që nga 2013-ta. /Telegrafi/