Paris Saint-Germain është zhytur në ‘rastin Mbappe’, por vazhdon me përgatitjen e skuadrës për sezonin e ardhshëm dhe trajneri Luis Enrique ka idenë e qartë mbi përforcimin e skuadrës dhe objektivat e verës.
Pas prezantimit të Enrique si trajner i ri, filloi një ‘rrebesh’ nënshkrimesh, përforcime që tashmë janë gjashtë.
I fundit Cher Ndour, i cili iu bashkua nënshkrimeve të Manuel Ugarte (Sporting), Lucas Hernandez (Bayern Munich), Kang-in Lee (Mallorca), Milan Skriniar (Inter) dhe Marco Asensio (Real Madrid).
Megjithatë, PSG dëshiron më shumë. Sipas informacioneve të RMC Sports, Bradley Barcola, reprezentues i moshave të Francës, është bërë prioriteti i trajnerit spanjoll për të përforcuar skuadrën.
20-vjeçari nga Olympique Lyon ka bindur Luis Campos dhe Luis Enrique, kështu që klubi parisian do të hedhë pjesën tjetër në përpjekje për të vulosur nënshkrimin e tij. Për momentin, Lyon nuk ka vendosur një çmim për të.
Enrique po merr pjesë në vendimet lidhur me formimin e skuadrës së PSG-së për sezonin 2023/24. Madje, sipas RMC, interesimi i trajnerit për Barcola është i tillë që ai ka pasur tashmë një kontakt të parë me futbollistin për të treguar besimin e tij dhe për t’i shpjeguar projektin.
Më shumë ekipe të interesuara
Sipas informacioneve të RMC, sezoni i sulmuesit anësor nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e tjera të mëdha, të cilët po ashtu e ndjekin nga afër.
Prandaj, Manchester City dhe RB Leipzig janë të tjerët që janë të interesuar për lojtarin. /Telegrafi/