Telegrafi

‘Prindit, ia kanë kallë zemrën…’ – ndërpritet seanca lidhur me vrasjen në Mitrovicë

Shefki Asllani, i akuzuari për vrasjen e 27 vjeçarit pas një mosmarrëveshje që lindi pas një bisede rreth rritjes ose jo të fikut në Kosovë, sot më datë 22.08.2024 u ulë në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, konstatoi mospraninë e ekspertit Arsim Gashi pas një njoftimi të datës 06.08.2024 të cilin doktori Gashi ia kishte përcjellur gjyqtares për mungesën e tij në këtë seancë.

Gjyqtarja Elezi pyeti prokurorin e rastit Genc Nixha nëse mbetej prapa propozimit për të vazhduar seancën në mungesën e doktor Gashit, e që prokurori u pajtua që të vazhdohej tutje me gjykimin.

Në anën tjetër, avokati Abit Asllani, si përfaqësues i palës së dëmtuar kërkoi që seanca të mos vazhdojë.

“Fatkeqësisht anëtari kryesor sipas nesh, i cili është dashtë të jetë prezent mungon dhe ne kemi pas nevojë që të parashtrojmë pyetje pikërisht ekspertit të psikiatrisë të forenzikës doktor Arsim Gashi, pa e nënçmuar në asnjë pikë rolin e të dy anëtarëve të tjerë të komisionit’’ – tha avokati Asllani.

Ndërsa, prokurori Nixha tha se nuk do të ishte pajtuar që të vazhdohej me gjykimin nëse do të ishte i njohur me këto rrethana.

Lidhur me këtë edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat Shpëtim Mehmeti u shpreh se sot në seancë u informuan për mungesën e ekspertit Arsim Gashi. Ai shtoi se ‘’konsideroj në këtë rast duhet të jemi bashkëpunues të gjitha palët duke mos i mohuar as mbrojtësit e familjes së dëmtuar’’.

Ndërsa, përfaqësuesi i të akuzuarit Shefki Asllani, avokat Mahmut Halimi, ndër të tjerash tha se: “Në praktikën shumë të vjetër gjyqësore në Republikën e Kosovës edhe para luftës dhe pas luftës gjithmonë te ekspertizat është thirrë vetëm kryetari i komisionit duke pas parasysh që gjatë kryerjes së një ekspertize të caktuar përkatësisht ekzaminimi institucional brenda entit ose organit ku është kryer në këtë rast instituti i forenzikës të gjithë ata ekspertë janë të emëruar nga drejtori i institutit dhe po ashtu caktohet edhe detyra e kryetarit të komisionit, i cili e udhëheq në mënyrë të përbashkët dhe pa u ndarë asnjëherë’’.

‘’Kështu që me përfundimin e observimit të një personi të caktuar nga tre anëtarë të komisionit përpilohet raporti me shkrim, vërtetësinë e të cilit e nënshkruajnë të tre anëtarët e komisionit dhe çka është këtu, a është në pyetje mosbesimi ndaj organit le të deklarohen secili veç e veç, kërkoj prokurorit, kërkoj palës, kërkoj përfaqësuesit të palës së dëmtuar’’ – tha avokati Halimi.

‘’Nëse keni informacione se është korruptuar dikush këtu, ju lutem le të caktohet në Zvicër, Angli, Gjermani, ku të doni caktoni’’ – shtoi avokati Halimi.

Ndërsa pas kësaj pala e dëmtuar reagoi, ndër të tjera drejtuar trupit gjykues i thanë ‘’prindit ja kanë kallë zemrën – ja ka vra djalin’’.

Gjyqtarja Elezi bëri të ditur se nuk do të vazhdohet me seancë për shkak se është prishur rendi në sallën e gjykimit.

Ngjarja tragjike sipas aktakuzës ka ndodhur në tregun e Mitrovicës më 17 prill 2021.

Në këtë rast, Shefki Asllani nga Prokuroria po akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë.

Prokuroria e Mitrovicës më 28 tetor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit për veprën penale – vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta V. F.

Në aktakuzë thuhet se pas një fjalosjeje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vjen deri te konflikti fizik, ku së pari V. F. e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe e qëllon viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.

Si pasojë e të shtënave nga i pandehuri, janë plagosur edhe L. F. si dhe kalimtari i rastit, A. A.

Ndryshe çështja është transferuar në Gjykatën e Prizrenit nga Gjykata e Mitrovicës pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit 2022, raporton Kallxo.