Site icon Telegrafi

Prindi ankohet se fëmija po i mërdhin nga i ftohti, drejtoria e shkollës thonë se s’kanë probleme me ngrohje (Foto)

Temperaturat e ulëta që kanë mbretëruar ditëve të fundit në Kosovë, kanë shkaktuar vështirësi edhe në mbarëvajtjen e procesit mësimor nëpër shkollat e Kosovës.

Me këtë problem është duke u ballafaquar edhe shkolla fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë, ku në klasat që ndodhen në pjesën e vjetër të shkollës ka mungesë të furnizimit me ngrohje.

Njëri nga prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, i ka sqaruar Telegrafit se njëri prej fëmijëve të tij që është pjesë e kësaj shkolle, po mërdhin për shkak se në pjesën e vjetër të objektit ka mungesë të ngrohjes.

Ai ka thënë se fëmija i tij, i cili është në klasën e 6-të, mësimin e fillon në ora 13:00, dhe se klasa e tyre gjendet në pjesën e vjetër të shkollës, e cila nuk është e pajisur me ngrohje.

“Si rezultat i kësaj, fëmijët që mësojnë në këto klasa mësimin po e zhvillojnë në kushte të vështira dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre sepse aty është jashtëzakonisht ftohtë. Janë të detyruar t’i mbajnë xhupat, dorëzat e kapelat gjatë gjithë kohës, që është një pengesë e madhe për aktivitetet mësimore”, ka theksuar prindi.

Sipas tij, për këtë janë njoftuar edhe drejtuesit e shkollës dhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

“Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për ndryshimin e kësaj gjendje”.

Zëvendësdrejtoresha e Shkollës Fillore, Naim Frashëri, Drita Qorolli, ka theksuar për Telegrafin se nuk ka probleme me ngrohjen, por sipas saj, problemi mund të ketë qenë për faktin se shkolla ka mbetur për kohë të gjatë (pushimi ndërmjet gjysëmvjetorave) pa nxehje.

Ajo ka sqaruar se ata si shkollë janë furnizuar me derivate, dhe furnizimi bëhet në baza javore.

“Nuk kemi problem me nxehjet dhe radiatorët”, ka shtuar ajo.

Në mesin e nxënësve ka pasur dallime rreth problemit të ngrohjes, derisa disa kanë thënë se në pjesën e vjetër të shkollës është ftohtë, një nxënës ka thënë se ngrohjet janë lëshuar në klasë, por sipas tij, ndodhë nëse janë dy radiatorë, njëri të mos jetë në funksion.

Telegrafi ka kontaktuar me Drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se ata si komunë i kanë pajisur me derivate të gjitha shkollat në Prishtinë, dhe se ekipet mobile të cilat i kanë pasur në terren janë kujdesur që të sanohen dëmet nëpër shkolla.

Ajo ka theksuar se deri më tani nuk kam ndonjë informatë nga shkolla fillore “Naim Frashëri”.

Nagavci ka thënë që të kontaktohet zyra për media që të merren informata më të hollësishme.

Adonis Tahiri, nga zyra për media në Komunën e Prishtinës, ka thënë se është ne mbledhje dhe nuk mund të përgjigjet.
Ndryshe, të hënën ka filluar gjysmëvjetori i dytë, nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, ku nëpër disa shkolla janë paraqitur probleme me ngrohjen dhe furnizimin me derivate. /Telegrafi/

Exit mobile version