Oborri i çerdhes publike “Lulevera” në Prishtinë tash e pak ditë është pajisur me lodra të reja. E krejt kjo falë iniciativës së prindërve të tyre për t’i blerë ato.
Kryetarja e këshillit drejtues të prindërve, Trëndelina Qorraj, ka thënë se se në oborrin e kësaj çerdheje nuk është investuar me vite të tëra, prandaj edhe është marrë kjo iniciativë.
“Në këtë oborr qoftë edhe një ulëse nuk ka pasur, lëre më diçka tjetër që ja vlen të përmendet. Unë dhe një prind tjetër prej një kohe të gjatë kemi qenë aktiv dhe në adresë të Komunës kemi dërguar edhe email-e ku kemi paraqitur gjendjen faktike të oborrit dhe çerdhes por nuk kemi pasur ndonjë përkrahje”, tha për RTV Dukagjinin Trëndelina Qorraj.
Prindërit, ndonëse të kënaqur me këtë iniciativë kanë thënë se kjo është detyrë e cila duhej të kryhej nga Komuna e Prishtinës.
“Ka qenë një iniciativë shumë e mirë e prindërve, madje e vonuar. Punën që është dashur ta kryej Komuna e Prishtinës e kemi kryer vet prindërit me iniciativën tonë”, shprehet prindi Bujar Lushaku.
“Komuna së pari është dashur të merret me rregullimin e objektit”, shprehet Rrezarta Zjaqa, vajza e së cilës qëndron në këtë çerdhe.
“Kjo ka qenë punë vullnetare me pajtimin e kryesuesve të prindërve. Është dashur që Komuna të merret me këtë punë”, shprehet Besiana Sabedini.
Drejtoresha e çerdhes, Mihrije Spahiu, duke mos dashur të prononcohet para kamerës, është shprehur e kënaqur me këtë inciativë.
Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës, nuk është përgjigjur nëse ka në plan të merret me rinovimin e ambientit të brendshëm të çerdhes./Telegrafi/