Një video e publikuar në internet shfaq momentin kur policia në Arizona të SHBA-ve, futet me forcë në një shtëpi për ta nxjerrë një djalë të vogël të pa vaksionuar i cili kishte temperaturë të lartë.
Në video shihen policët e departamentit Chandler duke thyer derën e shtëpisë të armatosur deri në dhëmbë, dhe mbanin në duar mburoja derisa po futeshin nga frika se mund të hasin në rezistencë, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i policisë ka njoftuar se ishin futur në shtëpi për ta nxjerrë dyvjeçarin, pasi mjeku i kishte raportuar prindërit në Departamentin e Sigurisë së Fëmijëve të Shtetit (DSC).
Mjeku ishte brengosur për vogëlushin pasi mendonte se vuan nga meningjiti dhe se ishte prekur nga infeksioni në sistemin respirator. E siç raporton ABC 15, mjeku kishte informuar Departamentin e Sigurisë së Fëmijëve, duke u thënë se fëmija nuk ishte vaksionuar kur prindërit e tij e sollën për kontroll dhe me temperaturë 40.
Ai i kishte këshilluar prindërit që vogëlushin ta dërgojnë në emergjencë, megjithatë ata nuk e kishin dëgjuar këshillën e tij. Dhe kur e zbuloi se prindërit nuk e kishin ndjekur këshillën e tij, kishte telefonuar Departamentin e Sigurisë së Fëmijëve. Ata kishin kërkuar asistencën e policisë për ta nxjerrë nga shtëpia vogëlushin.
Sipas ABC, babai i vogëlushit kishte refuzuar t’i lejoj policët të futen brenda, por pasi siguruan vendimin e gjykatës u rikthyen duke u futu me dhunë. E në pamjet e publikuara më poshtë shihen policët duke u futur në shtëpi. Ata pasi u siguruan se nuk kërcënohen nga dikush morën vogëlushin dhe dy motrat e tij që moshës 4 dhe 6-vjeçare.
Ata menjëherë ishin dërguar në spital për tretman, kurse prindërit nuk janë arrestuar edhe pse autoritetet kanë njoftuar se janë duke vazhduar hetimet. /Telegrafi/