Prindërit e nxënësve të Shkollës “Ismail Qemali” në Mitrovicë po kundërshtojnë ndërrimin e mësueses. Ata janë të kënaqur me punën e saj dhe thonë se ndërrimi i shpeshtë i mësuesve po shkon në dëm të nxënësve. E si shkak i kësaj, ata nuk kanë lejuar që fëmijët e tyre të vijojnë mësimin.
Do të duhej të ishin në proces mësimor sikurse të gjithë moshatarët e tjerë. Mirëpo, nxënësit e klasës së tretë të Shkollës “Ismail Qemali” në Mitrovicë nuk kanë vijuar mësimin mëngjesin e së martës.
E kjo për shkak se prindërit po kundërshtojnë ndërrimin e mësueses së tyre.
“Është pensionuar mësuesja e mëparshme që kanë pasur fëmijët dhe e kanë sjellë një mësuese tjetër. Fëmijët vështirë janë përshtatur me mësuesen e re për të cilën në nuk kemi pasur asnjë vërejtje. Në ndërkohë vendi i saj është shpallur i lirë dhe kanë sjellë tjetër mësuese. Fëmijët tashmë janë të pakënaqur më këtë punë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, prindi Nazmi Uka.
E disa të tjerë këtë ndërrim po e shohin si maltretim për fëmijët e tyre, përcjell Telegrafi.
“Të gjithë e kemi ditur që mësuesja po del në pension. Pse nuk e prunë një mësuese nga fillimi që të mos ndërrohen ato dy-tri herë. Në muajin tetor mësuesja Fahrie është pensionuar. Pse nga ajo kohë nuk e kanë prurë një mësuese tjetër”, thotë prindi tjetër Emin Murseli.
Madje, ata thanë se në rast se nuk tërhiqet ky vendim, do të ndalin fëmijët nga shkolla.
“Unë nuk do të sjellë fëmijën në shkollë derisa të plotësohen kushtet”, deklaron një tjetër prinde.
Mirëpo, drejtori i Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Egzon Jashari për Zyrën e Ankesave ka thënë se i gjithë procesi është bërë në bazë të rregullave dhe se nuk ka pasë ndonjë parregullsi.
“Konkursi është shpallur për vendet e lira. Janë zhvilluar të gjitha procedurat në rregull dhe për fat të keq mësuesja në fjalë nuk ka qenë e përzgjedhur”, deklaroi për “Zyrën e Ankesave”, Egzon Jashari.
Këta prindër i kanë thënë RTV Dukagjinit se në rast se nuk vazhdon punën mësuesja aktuale, ata do ta zhbëjnë paralelen ku mësojnë fëmijët e tyre në dy paralele tjera si shenjë pakënaqësie. /RTV Dukagjini/Telegrafi/