Nëna dhe babai i një djali dyvjeçar që u gjet duke u endur vetëm – ishin në mesin e shtatë viktimave të sulmit masiv pranë Çikagos.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Irina McCarthy, 35 vjeçe dhe Kevin McCarthy, 37 vjeç, u qëlluan për vdekje pasi një person i armatosur në një çati hapi zjarr ndaj spektatorëve në një paradë të 4 korrikut në Highland Park.
Djali i tyre Aiden nuk ishte i lënduar. Ai tani është nën kujdesin e gjyshërve të tij.
Të afërmit dhe miqtë i kanë bërë homazhe çiftit McCarthy dhe viktimave të tjera të sulmit.
Aiden u nda nga prindërit e tij gjatë të shtënave, tha një çift që ishte në skenën e sulmit.
Dana dhe Greg Ring i than CBS se e gjetën vogëlushin me një të huaj, e cila ishte “duke u dridhur”.
“Ne e morëm djalin e vogël. E vendosa në krahë”, tha Greg Ring. Ai e përshkroi skenën e sulmit si “masakër”.
Kevin McCarthy u kujtua si një “punonjës yll”, citohet të ketë thënë shefi i tij në Jaguar Gene Therapy, Joe Nolan.
“Jashtë punës ai ishte një baba shumë krenar dhe një bashkëshort i përkushtuar që adhuronte familjen e tij. Do të na mungojë jashtëzakonisht”, shtoi Nolan. /Telegrafi/