Në Kosovë ende nuk ka një Qendër të financuar nga shteti në të cilën fëmijët kosovarë të diagnostikuar me autizëm mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme. Për këtë arsye prindërit e fëmijëve me autizëm kanë bashkuar forcat në mënyrë që fëmijët e tyre të mos jenë të izoluar dhe të marrin trajtimin e duhur.
Kanë kaluar më shumë se 10 vjet që kur Cenë Krasniqi bashkë me prindër të tjerë, fëmijët e të cilëve janë diagnostikuar me autizëm, kanë hapur shoqatën “Autizmi’’ në të cilën këta fëmijë marrin trajtim nga logopedi, psikologu e profesionistë të tjerë.
“Menaxhimi është i vështirë s faktikisht punojmë aq sa mundet prindi me pagua, se financuesi kryesor këtu është prindi. Përpos hapësirës nuk na mbulon askush me shpenzime, kemi projekte e donacione, por prapë se prapë financuesi kryesor mbetet prindi me përjashtim të 15 për qind të fëmijëve që janë raste sociale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Cenë Krasniqi.
Ndërkohë, Qëndresa Sadriu, thotë se si nënë e fëmijës me autizëm, është ndier e lehtësuar kur mësuesja, Arbërsha Gashi Halili në shkollën fillore “Ismail Qemajli” e ka integruar Drinin shumë mirë në klasë. Ajo pret që trajtime të tilla të marrin të gjithë fëmijët autik në shkollat tjera të Kosovës.
“Mësuesja e ka mbështet Drinin shumë, edhe pse ai ka pasur terapiste për mos me pengu mësimin e tij të rregullt, mësuesja e ka shfrytëzua rastin që në çdo mungesë të Drinit të flas për Drinin me fëmijët e tjerë. Tash kemi ardhur në një pikë ku fëmijët e tjerët e menaxhojnë Drinin se vet mësuesja dhe terapistja që e ka në klasë”, shprehet Qëndresa Sadriu.
Më tutje Qëndresa thotë se nga prindërit tjerë ka dëgjuar se si fëmijët e tyre me autizëm janë përjashtuar nga klasa për shkak se mësuesit nuk kanë mundur t’i menaxhojnë./RTV Dukagjini/Telegrafi/