Site icon Telegrafi

Prindërit i dërgojnë letër Komunës së Prishtinës, nuk pranojnë të largohet mësuesi i fëmijëve të tyre

Vdekja e mësues përveç që ka lënë nxënësit pa mësimdhënëse, ka krijuar probleme në klasën 2/4 të shkollës fillore “Elena Gjika”, në Prishtinë. Për ngecjen në mësime, ndër të tjera, shqetësimin e kanë shprehur edhe prindërit e nxënësve të kësaj klase.

Ata kanë bërë një kërkesë në drejtim të drejtorisë së shkollës dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në kryeqytet, ku kërkojnë që mësuesi Arlind Mehana, i caktuar si zëvendësim për mësuesen e ndjerë ta përcjellë këtë gjeneratë, për arsye se prindërit po e cilësojnë si të suksesshëm, frytdhënës si dhe personin adekuat që e ka plotësuar vakumin e krijuar nga koha kur ka ndërruar jetë mësimdhënësja M.H.

Telegrafi ka siguruar kërkesën e prindërve të cilët tregojnë arsyet se pse Mehana duhet të vazhdojë të jetë mësues i nxënësve të klasës 2/4, duke dhënë vlerësime maksimale për mësuesin e ri, si person i përkushtuar dhe i devotshëm në punën e tij, me ç’rast edhe rezultatet sipas tyre, në avancimin e fëmijëve kanë qenë të prekshme, transmeton Telegrafi.

Ata thonë se mendimi i sërishëm i mësimdhënësit për nxënësit e klasës 2/4, do të mund të kishte pasoja të mëdha, e me theks të veçantë dekurajimin e fëmijëve në procesin mësimor.

Më poshtë mund ta lexoni kërkesën e plotë të prindërve:

“Duke marrë parasysh që fëmijët gjatë klasës së parë janë përballur me shumë vështirësi, për shkak të mungesës së mësueses së tyre të ndjerë tashmë, gjë që ka shkaktuar ngecje në procesin mësimor dhe në mesimnxënie të fëmijëve, kërkojmë nga menaxhmenti i shkollës dhe Drejtoria e Arsimit të Komunës në Prishtinë, të kenë konsideratë ndaj rastit tonë dhe si mësimdhënës të vijojë të jetë mësuesi Arlind Mehana. Kërkesën tonë e bazojmë në faktin se gjatë periudhës shtator – dhjetor 2017, fëmijët kanë avancuar në mësim, ka mësimnxënie efikase dhe zhvillim normal dhe shumë të rregullt të procesit mësimor. Në si prindër jemi shuam të kënaqur me metodat, praktikat dhe mënyrën e zhvillimit dhe të avancimit të fëmijëve tanë në procesin mësimor, andaj kërkojmë mirëkuptimin tuaj në këtë çështje, ngase mendojmë se ndërrimi i sërishëm i mësimdhënësit do të jetë dekurajues për fëmijët tanë, të cilët tashmë veçse janë adaptuar më mësuesin aktual dhe janë të motivuar dhe me zell ndjekin procesin mësimor. Ne si prindër në fillim të klasës së dytë kemi pasur dilemat nëse fëmijët tanë janë në gjendje të vazhdojnë me vijim të klasës së dytë, duke ditur njohuritë e fëmijëve të nxina në klasën e parë, ku kemi pasur dyshimin tonë nëse fëmijët do të mund ta zinin hapin dhe të ishin në nivelin e duhur me mësime gjatë klasës së dytë, periudhë të cilën i nderuari Arlind Mehana, e ka menaxhuar në mënyrë shumë të mirë, duke arritur që t’i edukojë fëmijët edhe në aspektin e disiplinimit dhe të mbarëvajtjes së procesit mek ushte të duhura e përpikëri, e poashtu shumë shpejt ka arritur të ngrish te fëmijët nivelin e njohurive dhe të dijes. Përveç kësaj fëmijët janë lidhur me mësuesin dhe vërtet kanë raporte shumë të mira mësues – nxënës, e poashtu kanë lidhje emocionale me të për shkak të afërsisë së ofruar nga ana e mësuesit dhe mirëpritjes nga ana e tij.

Mendojmë se ndërrimi i sërishëm i mësimdhënësit do të ketë pasoja dhe do të ndikojë në dekurajim dhe mosangazhimin e fëmijëve në procesin mësimor. Dhe vendimi për ndërrim të mësuesit do të sjellë edhe bojkotimin e procesit mësimor nga ana e nxënësve.

Andaj, sinqerisht kërkojmë mirëkuptimin tuaj në këtë çështje, gjë e cila do të shkaktonte kënaqshmëri si të fëmijët ashtu edhe për prindërit, por besoj edhe për të gjitha palët duke ditur se mësuesi në fjalë posedon kualifikimet, përgatitjen profesionale dhe përkushtimin e nevojshëm për ta kryer detyrën e tij prej mësimdhënësi”.

Në anën tjetër, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), kanë thënë se mësimdhënësi Arlind Mehana ka qenë vetëm i angazhuar në shkollën “Elena Gjika”,  në mënyrë që mos të mbeten nxënësit pa mësuese, pas vdekjes së ish – mësueses.

Sipas tyre, gjatë kësaj periudhe, mësuesja Natyra Rexhepi ka kërkuar transferim nga shkolla “Meto Bajraktari” në shkollën “Elena Gjika”, ku ka marrë edhe aprovimin nga Drejtoria e Arsimit, pasi mësimdhënësja në fjalë ka treguar performancë të mirë në shkollën “Meto Bajraktari”.

“Drejtoria e Arsimit  ka realizuar takim me një përfaqësues  të prindërve po të kësaj klase ku i ka njoftuar me kohë për mësuesen Natyra Rexhepi  dhe gjithçka ka qenë në rregull. Gjithashtu, ju njoftojmë se pas vdekjes së mësueses nxënësit kanë pasur vetëm mësuesin Arlind Mehana, i cili është angazhuar në fillim të vitit shkollor”, kanë theksuar nga DKA në Prishtinë./Telegrafi/

Exit mobile version