Princi i kurorës i Arabisë Saudite do të vizitojë Turqinë për herë të parë që nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018 në konsullatën e saj në Stamboll.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, presidenti Rexhep Tajip Erdogan do të zhvillojë bisedime kokë më kokë me Mohammed bin Salman me qëllim riparimin e lidhjeve të dëmtuara.
Erdogan dikur akuzoi indirekt princin se kishte urdhëruar agjentët sauditë të vrisnin Khashoggi-n. Ai mohoi çdo përfshirje në rast.
Vizita vjen pasi Turqia kërkon tregti, investime dhe asistencë për ta ndihmuar atë të përballet me një krizë ekonomike në përkeqësim.
Vendi ka punuar gjithashtu për të përmirësuar marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Izraelin pas vitesh tensionesh.
Princi Mohammed ndërkohë dëshiron t’i japë fund izolimit të tij ndërkombëtar.
Ai gjithashtu vizitoi Jordaninë dhe Egjiptin këtë javë si pjesë e një turneu në Lindjen e Mesme dhe muajin e ardhshëm do të takohet me Presidentin amerikan Joe Biden.
Khashoggi, një kolumnist i Washington Post me bazë në SHBA dhe kritik i shquar i Princit Mohammed, u pa për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor 2018, ku kishte shkuar për të marrë letrat e nevojshme për t’u martuar me të fejuarën e tij, Hatice Cengiz.
Një hetuese e OKB-së arriti në përfundimin se ai ishte “vrarë brutalisht” nga një ekip prej 15 agjentësh sauditë të dërguar nga Riadi dhe se trupi i tij ishte copëtuar. Ajo e bëri këtë gjykim pasi dëgjoi regjistrimet audio të supozuara të bisedave brenda konsullatës, të bëra nga inteligjenca turke.
Ndonëse Erdogan nuk e akuzoi drejtpërdrejt Princin Mohammed, ai pretendoi se e dinte se urdhri për të vrarë Khashoggi-n “vinte nga nivelet më të larta të qeverisë saudite”.
Agjencitë e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se princi i kurorës kishte miratuar një operacion për kapjen ose vrasjen e Khashoggi-t. /Telegrafi/