Telegrafi

Princi Charles vizitoi shtabin e KFOR-it

Princi i Uellsit, Charles, vizitoi shtabin e Forcës së Kosovës (KFOR) në Prishtinë. Ky ishte një nga angazhimet e fundit të Princit të Uellsit dhe Dukeshës së Cornwall-it në turneun e tyre në Ballkanin perëndimor.

Sipas njoftimit të KFOR-it, Princi i Uellsit u mirëprit në kampin “Film City” nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta dhe Garda e Nderit e përbërë nga pjesëtarë të shërbimit të KFOR-it.

Gjatë vizitës, Princi vendosi lule në monumentin e pjesëtarëve që shërbenin në KFOR dhe tek 14 ushtarakët e Britanisë së Madhe të cilët paguan sakrificën sublime në shërbim të paqes gjatë operacioneve në Kosovë.

Kjo ngjarje solemne u përcoll edhe nga Ambasadori i Britanisë në Kosovë Ruairí O’Connell dhe nga përfaqësues të kontingjenteve të ndryshme ushtarake që shërbejnë në KFOR.

Princi i Uellsit i shoqëruar nga Gjeneralmajori Miglietta, takoi Gjeneralët e KFOR-it dhe përfaqësues të lartë të shteteve të ndryshme, si dhe pjesëtarët e kontingjentit Kanadez dhe Irlandez.

Princi i Uellsit vizitoi KFOR-in si pjesë e vizitës së Madhërive të tyre Mbretërore në Kosovë më 18-19 mars. /Telegrafi/