Telegrafi

Princi Charles magjepset me Prizrenin: E dua këtë qytet

Për më shumë se një javë nuk kishte bërë gjumë të rehatshëm, sepse ndiente peshën e përgjegjësisë për pritjen e një personaliteti me nam botëror.

As parapërgatitjet nuk i kanë mjaftuar që ta largonte këtë drojë nga vetja. Me shumë emocione të përziera, njohësi i trashëgimisë kulturore nga Prizreni, Vesel Hoxhaj, të shtunën e kaluar po e priste Princin e Walesit, Charles, shkruan Koha Ditore.

Që nga mëngjesi kishte dalë në qendër të qytetit. Koha për të ecte ngadalë. Madhërinë e tij do ta shoqëronte gjatë qëndrimit në Qendrën Historike të Prizrenit.

“Brenga ime kryesore rreth pritjes së Princit të Walesit, Charles, ishte si të shprehesha afër Madhërisë së tij, pasi që është një personalitet i rëndësishëm botëror. Edhe tani kur po flas për të, po kam emocione, ani pse kanë kaluar disa ditë nga vizita e Madhërisë së tij”, ka thënë Hoxhaj.

Mirëpo vizita e Princit Charles jo vetëm që ishte realizuar në mënyrë të duhur, por kishte lënë mbresa të dukshme edhe te anëtari i familjes mbretërore.

“E dua këtë qytet!”, citon Hoxhaj të ketë thënë Princi Charles, gjatë përballjes me pritjen e ngrohtë të popullatës.