Telegrafi

Primoz Gliha flet për mediat kroate: Do të flas për një ndeshje miqësore Kosovë – Kroaci

Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha, ka folur për mediumin kroat 24 sata, ku ndër të tjera ka thënë se do të donte që zhvillohej një ndeshje miqësore mes Kosovës dhe Kroacisë.

Kroatët e kujtojnë për një ndeshje që u mbyll 3-3 të zhvilluar më 2 prill të vitit 1997, kur Sllovenia luante me Kroacinë në kualifikueset e Kampionatit Botëror e ku Gliha shënoi het-trik.

Ai fillimisht u ndal te puna e tij e re si përzgjedhës i Kosovës, ku thotë se ndjehet shumë mirë, ndërsa thotë se do të punojë për një miqësore me Kroacinë.

“Është shumë mirë për mua, kam tre vjet që punoj dhe janë shumë të drejtë. Dhe jeta është pothuajse si në Zagreb. Do të flas me HNS (Federatën Kroate të Futbollit) për të organizuar një ndeshje miqësore në mars. Edhe pse kam kontratë vetëm deri në nëntor”, ka thënë Gliha.

Ai foli për futbollin kroat dhe tensionet që kishte në skuadër në ndeshjen Kosovë-Zvicër.

“Tani kemi pak më pak lojtarë nga Kosova në ligën kroate se më parë, sepse shumë nga lojtarët tanë kanë lindur jashtë vendit. Epo, kohët e fundit kam menaxhuar një ndeshje kundër Zvicrës dhe as nuk e kam ditur se ka tensione sepse gjysma e lojtarëve tanë kanë lindur atje (Zvicër). Përfundoi 2-2. Emir Sahitin e kam nga klubet kroate, por konkurrencën më të madhe e kemi në pozitat e krahut”, deklaroi Gliha.

Në fund ai u ndal edhe tek një analizë për ndeshjen mes Ballkanit dhe Dinamos së Zagrebit, që zhvillohet javën e ardhshme në Ligën e Konferencës.

“Çdo gjë mund të ndodhë. Dinamo ka një skuadër solide, homogjene, por gjithmonë ka probleme nga brenda, si çdo klub i madh, dhe Ballkani ka një ekip të ri dhe interesant dhe hyn pa ngarkesë në ndeshje, prandaj Dinamo mund të ketë probleme”, përfundoi Gliha. /Telegrafi/