Telegrafi

Priebe publikon raportin e dytë: Shumë pak është bërë në lidhje me skandalin e përgjimeve

Bashkimi Evropian ka publikuar raportin e grupit të ekspertëve me në krye Reinhard Priebe në lidhje me sundimin e së drejtës. Grupi i ekspertëve në korrik ishte për vizitë Maqedoni.

Në raportin e Priebes thuhet se besimi mes institucioneve dhe zyrtarëve duhet të rindërtohet dhe se është bërë shumë pak në lidhje me skandalin e përgjimeve, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Ndërtimi i besimit në institucionet shtetërore dhe zyrtarët duhet të rindërtohet. Publiku i përgjithshëm ende ka ndjenjën se institucionet u shërbejnë partive dhe zyrtarëve, e jo qytetarëve dhe shtetit. Progres i vogël është bërë në lidhje me skandalin masiv të përgjimit dhe shkeljes së madhe të të drejtave dhe lirive të njeriut, lidhur me nisjen e hetimeve për ata që kanë gabuar dhe shkelur ligjin. Por është e nevojshme që këto procedura të zhvillohen sa më shpejt dhe si prioritare”, thuhet mes tjerash në raport.

Më tej në raport thuhet se parandalimi dhe shtypja e korrupsionit dhe nepotizmit në të gjitha nivelet e qeverisjes duhet të jetë prioritet i lartë.

“Gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten dhe një formë e kapjes së shtetit nuk duhet të zëvendësohet me një tjetër. Disa nga veprimet që duhet të zbatohen në të ardhmen e afërt, në mënyrë të pashmangshme do të jenë një test në këtë drejtim”, thuhet në raportin e Priebes./Telegrafi/