Site icon Telegrafi

Price: Kosova e Serbia t’i përmbushin përgjegjësitë, të bëhet progres për Asociacionin

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, sërish ka folur për çështjen e asociacionit dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Price tha se SHBA-ja dhe BE-ja presin që palët “të përmbushin përgjegjësitë e tyre”.

“Kosova dhe Serbia në këtë rast duhet të zbatojnë marrëveshjet që tashmë kanë nënshkruar përmes këtij procesi të dialogut”.

Kjo sipas Price përfshin arritjen e progresit në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Price shtoi se SHBA-ja fuqishëm inkurajon serbët e Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Këto janë mesazhe që Kosova dhe Serbia po i dëgjojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Price.

“Pra, ne e mbështesim shumë këtë proces,” shtoi ai.

Duke folur gjerësisht për qasjen e SHBA-së ndaj dialogut, Price tha se Amerika po vepron në mënyrë të vazhdueshme dhe është e përfshirë dukshëm në këtë proces.

“Qasja jonë ndaj konflikteve, tensioneve në mbarë botën shpesh konsiston në këtë. Ne po mbështesim, në disa raste lokale, në disa raste, zgjidhje rajonale. Shtetet e Bashkuara japin mbështetjen tonë, kur dhe si menduam se ishin më efektive”, tha Price.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, dialogu i udhëhequr nga BE-ja “ka potencialin të jetë një mjet efektiv për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur konfliktet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

I pyetur nga The Pavlovic Today pse nuk përmendet SHBA-ja në “planin evropian”, dhe nëse kjo do të thotë se SHBA hoqi dorë nga roli i saj aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, Price tha se i tërë procesi ka mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara.

“Së fundmi, zëvendës ndihmës sekretari ynë Gabe Escobar, së bashku me përfaqësues të lartë nga BE- nga Gjermania, Franca dhe Italia, ishin sëbashku në Prishtinë dhe Beograd për të diskutuar propozimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Price./Telegrafi/

Exit mobile version