Telegrafi

Mos prezenca e deputetëve përplas LVV-në me LDK-në, shtyhet mbajtja e dy interpelancave për Hotin

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar punimet e seancës plenare për shkak të mungesës së deputetëve.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka thënë se pa konstatimin e kuorumit të 61 deputetëve në sallë nuk mund të vazhdojmë seancën. Ajo ka thënë se në sallë ndodhen 45 deputetë.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati në emër të grupit parlamentar tha se janë prezentë 25 deputetë të LVV-së.

“Ende vazhdojmë të mos kemi kuorum, prej LVV jemi 25 deputetë disa për arsye objektive dhe shëndetësore nuk mund të jenë këtu . Vetëm LVV ka më shumë sesa koalicioni qeverisës të cilët as 20 deputetë nuk i kan dhe përgjegjësia bie kryekëput mbi këta”, tha Murati.

E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se edhe nga LDK-ja janë 20 deputetë të pranishëm.

“Meqenëse z. Murati po ka dëshirë me bo matematikë, edhe prej LDK-së jemi 20 deputetë diku. Temat që janë në rend dite janë dy interpelanca për kryeministrin të kërkuara nga LVV-ja. Si LDK marrim përgjegjësi vetëm për deputetët tonë. Jemi këtu, kurdo që vendosni për me mbajt seancën”, tha Gashi.

E kryesuesja e seancës Arbërie Nagavci tha se për shkak të mungesës së kuorumit për vazhdimin e kësaj seance do të njoftohen pas një vendimi nga ana e Kryesisë së Kuvendit.

Kujtojmë se në rend dite në këtë seancë ishin dy interpelanca për kryeministrin Avdullah Hoti të thirrura nga deputetët e LVV-së, si dhe 12 pika tjera. /Telegrafi/