Telegrafi

Prezenca dhe përkrahja e UNESCO-s për Kosovën daton që nga viti 1999

Menjëherë pas luftës, në nëntor 1999, UNESCO ka dërguar në Kosovë z. Paolo Fontani, specialist i UNESCO-s për edukim kualitativ. Ishte nder i madh të bashkëpunoja me të dhe të hartojmë së bashku projektin “Trajnimi i mësuesve kosovarë në demokraci dhe të drejtat e njeriut” dhe të themelojmë Qendrën Kosovare për të Drejtat e Njeriut- QKDNj. Themelimi i QKDNj-së hap rrugën për edukimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

UNESCO dhe QKDNj nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për përkthimin e kompletit të UNESCO-s, “Ushtrimi i edukatës qytetare”, material burimor i UNESCO-s për EDNj, me të cilat do të shërbehen 17 trajnerë dhe 155 mësues dhe drejtor[ të 55 shkollave fillore në rajonin e Pejës. Nga ky projekt do përfitonin shtatëmijë nxënës. Misioni i z. Fontani në Kosovë përfundon në qershor 2000. Sot ai është Drejtor i UNESCO-s në Afganistan.

Në korrik 2000, UNESCO dërgon Zz. Taro Komatsu, zyrtar i lartë për edukim në UNMIK, njëherësh bashkëpunëtor dhe përkrahës i QKDNj-së për projektet e UNESCO-s në Kosovë. Gjatë viteve 2000-2003, QKDNj ka implementuar disa projekte të rëndësishme për EDNj: “Kampi edukativ kalimi i urave”, “Akademia për të drejtat e njeriut”, “Dialogu dhe përfshirja”, filmi dokumentar “Rruga prej dhembjes në shpresë” etj. Me rëndësi të veçantë është botimi i librit burimor “Hapat kosovarë për edukimin e të drejtave të njeriut” (autor Satu Honkala dhe Neshad Asllani), si dhe botimi i “Fjalorit anglisht-shqip për të drejtat e njeriut”, përkrahur po ashtu nga UNESCO.

Përveç projekteve në EDNj, UNESCO përkrah edhe pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në "Seminarin për edukimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Evropën Juglindore", organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Japonisë (Tokio, mars 2001).

Pranimi i shkollës fillore nga Istogu në UNESCO Associated School Project Network, është projekt i hershëm dhe shumë i rëndësishëm për integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Shpresoj këto të dhëna sado pak mund të ndihmojnë Ministrinë e Punëve të Jashtme në lobimin për pranimin e Kosovës në UNESCO. Bashkëpunëtorët ndërkombëtarë të QKDNj, do të lobojnë po ashtu, pasi konsiderojnë se kjo është me rëndësi për të ardhmen e Kosovës dhe të UNESCO-s.