Telegrafi

Prezantuesja e NBA rrëshqiti me take dhe pësoi një rrëzim të rëndë pasi intervistoi basketbollistin e Clippers

(Foto: Instagram/kristinapinktv/Screenshot/Twitter)

Prezantuesja e NBA, Kristina Pink, ka përjetuar një rënie të rëndë në parket pas ndeshjes ndërmjet Los Angeles Clippers dhe Atlanta Hawks (106-93).

Pas ndeshjes, ajo e ka intervistuar njërin prej basketbollistëve më të mirë të ndeshjes, Amir Coffey, i cili me 21 pikë të realizuara e udhëhoqi Clippers drejt triumfit.

Mirëpo, këpucët me take të larta dhe parketi i lagur nuk janë kombinim i mirë. Në një moment, ajo ka rrëshqitur dhe është rrëzuar rëndë, teksa kamerat e kanë xhiruar situatën.

Basketbollistët që ndodheshin pranë reaguan për ta parë a është mirë dhe më pas i ndihmuan që të ngritej në këmbë.

Videoja e rrëzimit të Kristinas u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, ndërsa reporterja atraktive e Fox më vonë njoftoi përmes rrjeteve sociale se ishte mirë.

“Për të gjithë ata që pyesin, unë jam mirë. Kishte ujë në parket… I vlerësoj të gjitha mesazhet”, ka shkruar Pink në Twitter. /Telegrafi/