Site icon Telegrafi

Prezantuesi James Corden pranon se u përpoq të humbiste peshë me Ozempic: Nuk më funksionoi

Foto: Profimedia

Moderatori James Corden është bërë fytyra e kompanisë Weight Watchers, me të cilët nënshkroi një kontratë shumëmilionëshe.

Ai i ka falënderuar për ndihmën në përballimin e sfidave me peshën. Megjithatë, vitin e kaluar, ai ndërpreu këtë bashkëpunim dhe filloi të përdorte Ozempic, një ilaç popullor për humbjen e peshës mes personazheve të famshëm.

Ndryshe nga shumë të tjerë që pretendojnë se kanë humbur peshë me ndihmën e Ozempic, Corden ka përjetuar një përvojë të ndryshme.

“E kam provuar Ozempic, dhe siç mund të shihni, nuk ka funksionuar për mua. Ai thjesht ul ndjenjën e urisë, por unë rrallëherë ha vetëm sepse jam i uritur”, ka thënë Corden për DailyMail. Ai beson se problemet e shëndetit mendor mund të jenë shkaktar i ngrënies së tepruar, duke pranuar se shpesh konsumon sasi të mëdha çokollatash gjatë kohës që është në makinë.

Foto: James Corden

Ozempic është një ilaç i cili përdoret kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2. Përbërësi aktiv, semaglutidi, ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Por ajo që e ka vendosur Ozempic në qendër të vëmendjes është efekti i tij anësor i papritur – humbje e konsiderueshme në peshë tek përdoruesit.

Shumë prej tyre kanë raportuar rezultate të jashtëzakonshme në humbjen e peshës me Ozempic. Disa kanë arritur të humbin një numër të madh kilogramësh brenda një periudhe relativisht të shkurtër, gjë që ka rritur popullaritetin e tij ndër personat që kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe efektive për kilogramët e tepërt.

Ky ilaç ul oreksin dhe ngadalëson zbrazjen e stomakut, duke bërë që përdoruesit të ndihen të ngopur për një kohë më të gjatë. /Telegrafi/

Exit mobile version