Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në kuadër të konferencës kombëtare trepalëshe “Euro-integrimet e Maqedonisë dhe ardhmëria e Bashkimit Evropian”, para sektorit civil prezantoi Strategjinë e Komisionit Evropian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025.
“Sektori civil paraqet pjesë të pandashme në ndërtimin e shoqërisë demokratike në Republikën e Maqedonisë dhe ne si Qeveri do të krijojmë kushte dhe sinergji mes Pushtetit dhe organizatave civile, të cilën në të ardhmen planifikojmë edhe ta intensifikojmë”- deklaroi Osmani për mediat para fillimit të konferencës, duke i potencuar, potencialet të cilat i hap Strategjia e Komisionit Evropian për rritjen dhe ndikimin e organizatave civile në ndryshimet shoqërore.
Ai sqaroi se “për implementimin e planit akcional që del nga këto iniciativa, Bashkimi Evropian parasheh rritje të konsiderueshme të angazhimit dhe pranisë së tij në vende, si dhe rritje të konsiderueshme të mjeteve të IPA-s të parapara për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke kyçur këtu edhe Maqedoninë”, duke shtuar se vetëm për vitin 2018, Bashkimi Evropian parasheh mjete nga më shume se një miliardë euro, ndërkaq pas publikimit të Strategjisë, menjëherë siguroi 500 milion euro shtesë për rajonin për periudhën deri në vitin 2020.
Konferenca paraqet bashkëpunim mes Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe Qendrës për strategji evropiane- EUROTHINK, dhe është pjesë e projektit “Mekanizmi i sektorit civil për IPA2”, financuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian e cila mbahet me rastin e publikimit të Strategjisë për zgjerim në Ballkanin Perëndimor./Telegrafi/