Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizon konferencën për prezantimin e punimit “Bashkimi energjetik Kosovë – Shqipëri – Sfidat dhe Mundësitë“.
Konferenca “Bashkimi energjetik Kosovë-Shqipëri – Sfidat dhe Mundësitë“ do të moderohet nga Dardan Abazi, Drejtor i Programit dhe Hulumtues i Lartë në INDEP dhe Liron Gjocaj, Asistent Hulumtues në INDEP.
Konferenca organizohet në kuadër të programit për Zhvillim të Qëndrueshëm të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), program i cili fokusohet në projektet ekonomike dhe energjetike në Republikën e Kosovës dhe në rajon.
Javën e kaluar Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), dhe operatorët e sistemeve të transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës (OST dhe KOSTT) kanë nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të bashkëpunimit të tregjeve të energjisë elektrike.
Kjo Marrëveshje përcakton të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike të një ditë më herët dhe brenda ditës, për sa i përket roleve dhe përgjegjësive në lidhje me operimet, administrimin dhe vendimmarrjen, përmes organizimit të alokimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në kufijtë e tyre të përbashkët një ditë më herët dhe brenda ditës.
Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e konkurrencës në tregjet e energjisë elektrike si dhe në ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta.
Ky bashkëpunim do të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në treg jo-diskriminuese dhe transparente.
Po ashtu përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.