Prishtina ka prezantuar gjatë ditës së sotme (e premte) transferimin e fundit në afatin kalimtar të verës, Labinot Ibrahimin.
Mbrojtësi i njohur nga Kosova është zyrtarizuar të enjten te Prishtina, ndërsa gjatë ditës së sotme është prezantuar.
Fillimisht Ibrahimi u takua me kryetarin e klubit, Remzi Ejupin, trajnerin Mirel Josa dhe bashkëlojtarët e tij, ndërsa foli edhe fjalët e para pas rikthimit te Prishtina.
“Pas gjashtë vitesh rikthehem aty ku e nisa. Jam shumë i lumtur dhe besoj se me kontributin tim t’ia arrijmë edhe qëllimet të cilat i ka FC Prishtina”.
“Ekipin e Prishtinës e njoh, e kam ndjekur secilën ndeshje që kam pasur mundësi, janë djem të ri, punëtor dhe së bashku besoj do t’i arrijmë objektivat”.
“E falënderoj edhe kryetarin Ejupi si këmbëngulës që të vija te Prishtina, po ashtu edhe profën, Mirel Josa. Inshalla vetëm me këmbë të mbarë dhe t’ia nisim kampionatit siç duhet”, ka thënë Ibrahimi për faqen zyrtare të klubit.
Me Prishtinën, deri më 2013, në katër edicione (2009-2013), Ibrahimi kishte regjistruar 108 ndeshje zyrtare dhe 5 gola duke fituar dy tituj kampioni dhe një Kupë Republike, ndërsa te Partizani ka fituar titullin e kampionit duke regjistruar 188 ndeshje në të gjitha garat duke shënuar 7 gola e asistuar në 4 sosh. /Telegrafi/