Telegrafi

Prezantohet me fanellën numër 5 te Real Madridi, fjalët e para të Bellingham si lojtar i ri i Los Blancos

Jude Bellingham është prezantuar sot (e enjte) si lojtar i ri i Real Madridit, pasi gjatë të mërkurës klubi mbretëror e zyrtarizoi blerjen e tij nga Borussia Dortmundi.

Real Madridi konfirmoi të mërkurën blerjen e Bellingham nga Dortmundi për një shifër për 103 milionë euro plus bonuse, me lojtarin që ka nënshkruar për gjashtë vite.

Blerja e Bellingham u bë e dyta më e shtrenjta në histori të Los Blancos, pasi vetëm blerja e Eden Hazard kishte kushtuar më shumë.

Lexo po ashtu Bellingham lë pas emra të mëdhenj, bëhet blerja e dytë më e madhe në histori të Real Madridit

Pas zyrtarizimit, sot ka ardhur edhe prezantimi i Bellingham në ambientet e klubit, ku për lojtarin ishte zgjedhur fanella me numrin ikonik 5, të cilën në të kaluarën e kishte mbajtur legjenda, Zinedine Zidane.

Në prezantimin e tij, mesfushori anglez u pa shumë i emocionuar, por edhe i lumtur që ka realizuar ëndrrën e tij për të luajtur me fanellën e 14 herë kampionit të Evropës.

“Përshëndetje Madridistë, doja të falënderoja të gjithë ata që janë këtu në ditën më të rëndësishme të jetës sime, në ditën e parë në klubin më të madh në botë”, ka thënë fillimisht Bellingham.

“Sot është dita më krenare e jetës sime, sepse jam bashkuar me klubin më të madh në botë”.

“Dua të falënderoj Juni Calafat, Jose Angel, presidentin… të gjithë që më sollën këtu. Dhe falënderoj familjen time. Më në fund, Hala Madrid”, përfundoi ai. /Telegrafi/