Telegrafi

Prezantohet buxheti për vitin 2009

Komentet ministri Shala i bëri në një konferencë për media, ku prezantoi buxhetin e vitit 2009, i cili është 1 miliardë e 430 milionë euro, apo 15 për qind më i lartë sesa buxheti i këtij viti.

Gjatë hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, qeveria është bazuar në prioritetet e saj të përcaktuara saktë, tha ministri Shala. Por ai theksoi se është e pamundur që brenda një viti fiskal të zgjidhen të gjitha problemet dhe të përmbushen të gjitha kërkesat që janë akumuluar me vite, por në një afat të mesëm, apo afat më të gjatë:

“Mënyra e zgjidhjes së problemeve sociale është përmes rritjes ekonomike”,tha Shala.

Me buxhetin e vitit 2009 për infrastrukturë rrugore është paraparë të ndahen 103 milionë euro, për fushën e arsimit 37 milionë euro, kurse për sektorin e energjisë 80 milionë euro, të cilat do të dedikohen për hapjen e mihjes së Sibovcit.

Mësimdhënësit, do të vazhdojnë të marrin paga me rritje 20 për qind, pagat e shërbyesve civilë do të ngriten në mënyrë lineare 10 për qind, ndërsa pensionet mbi 12 për qind. Kjo rritje do të mbulohet nga ulja e shpenzimeve në mallra dhe shërbime në të gjitha ministritë me përjashtim të ministrisë së shëndetësisë, rreth 15 për qind, si dhe në nivelin komunal rreth 10 për qind.

Duke paraqitur treguesit makroekonomikë, ministri Shala tha se gjatë vitit 2009 kanë projektuar rritje reale ekonomike prej 6 për qind, si rezultat i rritjes së investimeve publike rreth 30 për qind dhe rritjes së eksporteve rreth 25 për qind.

“Produkti vendor në vitin 2009 parashihet të jetë 4.115 miliardë, në vitin 2008 është 3.747 miliardë, dhe rritja parashihet për 10 për qind… rreth 6 për qind rritje e Bruto Prodhimit vendor”,tha Shala.

Të hyra të rregullta buxhetore për 2009-tën janë paraparë 956 milionë euro. Priten rritje në të gjitha kategoritë e të hyrave, veçmas në tatime, ndërkaq deficiti buxhetor që parashihet të jetë rreth 65 milionë euro do të mbulohet nga donatorët, tha Shala.

Shpenzimet kapitale do të jenë 430 milionë euro, kurse fondi rezervë 200 milionë euro. Gjatë hartimit të projektbuxhetit janë konsultuar edhe partitë opozitare dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, dhe ai i është dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim.