Kosova ka nevojë të përmirësohet në fushën e matematikës dhe shkencës në mënyrë që të shënohet përmirësim në testin PISA që do të mbahet këtë vit.
Kështu u tha në konferencën “Ndikimi i PISA-s në informimin e politikave arsimore në Kosovë” – organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit.
Ndërkaq, të rejat e PISA-s janë se testi do të mbahet online dhe përveç fushës së matematikës dhe shkencës, edhe leximi do të jetë fushë kryesore.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se nga të dhënat e PISA-s, shumë mësimdhënës kanë dështuar në ofrimin e mësimdhënies adekuate për nxënësit dhe sipas saj 35 për qind e nxënësve kanë raportuar se mësimdhënësit nuk kanë treguar interes për të mësuarit e secilit nxënës.
“Që nga viti 2015, për herë të parë Kosova mori pjesë në PISA, është folur me të drejtë shumë për rezultatet dhe është punuar, ka pasur angazhim për rezultate më të mira. Të dhënat e PISA-s tregojnë se shumë mësimdhënës për fat të keq, po flas në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në rezultatet e OECD-së [Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik] tregojnë se mësimdhënësit kanë dështuar në ofrimin e mësimdhënies adekuate për nxënësit dhe 35 për qind e nxënësve kanë raportuar se mësimdhënësit nuk kanë treguar interesim për të mësuarit e secilit nxënës dhe në rastet më të shpeshta ata që nuk arrin të marrin mbështetjen e nevojshme e të duhur nga mësimdhënësit, janë pikërisht ata që kanë më së shumit nevojë. Kjo mesatare është përafërsisht në të gjitha vendet e OECD-së”, tha Nagavci.
Ndërsa, udhëheqësi i Qendrës për Standarde dhe Vlerësim nga MASHTI, Fatmir Elezi shtoi se këtë vit, MASHTI do të shpërndajë rezultatet individuale në çdo shkollë.
Elezi tha se janë përzgjedhur 239 shkolla, nga 65 nxënës nga një shkollë, e në total do zgjedhën 7.500 nxënës.
“Këtë vit do të shpërndajmë rezultatet individuale në çdo shkollë. Në 2025 shkenca është kryesore. Ky vit i PISA-s do të ketë një theks të veçantë te shkencat, me një fokus të veçantë në mënyrën se si nxënësit përdorin njohuritë shkencore për të kuptuar dhe adresuar problemet e ndryshimeve klimatike dhe sfidat mjedisore. Edhe leximi është një prej fushave kryesore, nxënësit do të duhet të analizojnë dhe interpretojnë informacionin nga tekste të ndryshme.
PISA do të vazhdojë të vlerësojë aftësitë e nxënësve në përdorimin e matematikës për të zgjidhur probleme nga jeta e përditshme, duke përfshirë gjithashtu problemet që kërkojnë të dhëna dhe analizë numerike. Një fushë e re që edhe Kosova e ka këtë vit është të jetuarit në botën digjitale. Testi do të jetë online. Janë përzgjedhur 239 shkolla. Nga 65 nxënës nga një shkollë total do zgjedhën 7 mijë e 500 për të marre pjesë 6 shkolla serbe të përzgjedhura”, shtoi Elezi.
Drejtori i OECD-së për arsim, Andreas Schleicher u shpreh se nuk ka ndryshime në aftësitë matematikore në të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Kosovën.
“Kur shikojmë rezultatet në nivelin e OECD-së, pavarësisht rritjes së kërkesave për aftësi, nuk kemi parë shumë ndryshime në aftësitë matematikore. Madje, gjatë katër viteve të fundit, kemi parë një rënie. Edhe Kosova ka parë të njëjtin trend, megjithëse në një masë më të vogël sesa mesatarja e OECD-së. Kosova ka qenë më e suksesshme në ruajtjen e rezultateve të saj gjatë pandemisë sesa vende të tjera. Por, megjithatë, tendenca nuk është e mirë. Nuk po arrijmë të rrisim njohuritë dhe aftësitë e të rinjve, por po shohim një lloj stagnimi. Ajo që kemi parë në Kosovë është një performancë e qëndrueshme, ashtu siç e shohim në shumicën e vendeve. Dhe kjo shpjegon pozicionin që kanë këto vende në testin përfundimtar”, u shpreh ai.
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale. /KP/