Telegrafi

Prezantimi në GJND do të jetë i dinjitetshëm

Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, i tha Radios Evropa e Lirë se ekziston një koordinim në rrafshin ndërkombëtar, në mënyrë që të sigurohen sa më shumë deponime në favor të palës kosovare. “Për shkak të ndjeshmërisë, unë nuk mund të deklarohem në detaje për këtë, por siguroj qytetarët e Kosovës se institucionet po i përmbushin obligimet e tyre, në mënyrë që prezantimi i palës kosovare në GJND të jetë sa më i dinjitetshëm”, tha Çitaku.

Kohë më parë, përmes një letre, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, u ka kërkuar 80 vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta mbështesin Serbinë, e cila inicioi çështjen e vlefshmërisë së shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Por, pala kosovare thotë se tashmë ka siguruar disa konfirmime për përgjigje në favor të Kosovës. Megjithatë, nuk jepen të dhëna për numrin e këtyre shteteve.

Vlora Çitaku jep disa arsye pse ky proces nuk është më transparent. “E para e punës është kërkesë e Gjykatës që të jemi të përmbajtur në deklarime dhe, e dyta, nuk do të donim që me përgjigjet tona t’i japim argumente për mënyrën se si po përgatitemi palës kundërshtare”, tha Çitaku. /Radio Evropa e Lirë/Telegrafi/