Telegrafi

Preteni: Jakup Krasniqi nuk foli mirë

Preteni ka reaguar pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar sot se "AKK-ja është agjenci e reklamës mediatike dhe jo e luftimit të korrupsionit".

“Nëse një deputet mendon se AKK-ja do të luftojë korrupsionin, le ta dijë se kjo nuk do të ndodhë kurrë”, ka thënë Krasniqi, gjatë debatit parlamentar për Propozim-strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017.

Duke komentuar deklaratën e Krasniqit, Preteni ka thënë se fjalë të tilla mund të ndikojnë negativisht.

“Ne kemi nevoje për mbështetje dhe inkurajim. Zyrtarët e AKK-së me paga shumë të ulëta po hetojnë raste të nivelit të lartë të zyrtarëve të pasuruar brenda dite”, ka thënë Preteni.

Sipas tij, tentimi i politizimit të Agjencisë nuk mund të ndodhë, pasi deri tash kanë reflektuar gjithmonë pavarësi, paanësi dhe korrektësi.

Drejtori i AKK-së, Preteni deklaron se e realizojnë detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm, ndërkohë që kanë ushtruar më shumë se 230 kallëzime penale për korrupsion.

“I kemi atakuar më shumë se 600 zyrtarë të niveleve të ndryshme. Të gjitha këto raste i kemi përcjellë në prokuroritë kompetente. Më shumë se 80 për qind të rasteve për të cilat janë ngritur aktakuza apo janë bërë publike, hetimet penale zanafillën e kanë të Agjencia”, ka thënë Preteni.

Por, ai vlerëson se luftimi i korrupsionit është i hendikepuar, sepse rezultatet e punës varen nga efikasiteti i gjyqësorit. /Telegrafi/