Vetëm dy ditë para përmbylljes së afatit për deklarimin e pasurisë, janë rreth 1300 zyrtarë të lartë nga 4300 gjithsej, që ende nuk e kanë deklaruar pasurinë.
Kështu ka thënë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Hasan Preteni, në një intervistë për Rrokum TV, duke shtuar se në fillimin e javës tjetër do t’i publikojë emrat e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë.
Por, sipas Pretenit, këtë obligim po vazhdojnë ta neglizhojnë sidomos deputetët. Nga 120 deputetë që ka Kuvendi, deri tani vetëm 26 prej tyre e kanë deklaruar pasurinë.
E derisa duket i vendosur në zbatimin e ligjit, duke paralajmëruar padi ndaj mosdeklaruesve, Preteni thotë se mund të ndodhë që formularët e deklarimit të pasurisë të mbërrijnë në AKK, edhe pas afatit zyrtar.
Procesi i deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë ka nisur më 1 mars dhe pritet të mbyllet më 31 mars.
Ndërkaq, më 1 qershor, AKK ka premtuar se do të bëjë publikimin e listave me pasuritë e deklaruara të zyrtarëve të lartë.