Një pastor në Afrikën e Jugut i cili pretendon se e “ka ringjallur një burrë të vdekur”, është duke u përballur me akuza të rëndë për manipulim.
Pastori Alph Lukau ka nxitur reagime të ashpra në një video të publikuar së fundmi në internet, ku shihet se si kinse “ringjall një burrë” që zgjohet nga arkivoli në momentin që ia përmend emrin dhe fillon të ecë para dhjetëra personave, transmeton Telegrafi.
Ky pastor ka një ekip të tërë me vete kështu që gjithçka ngjan me një shfaqe, duke filluar nga orkestra e deri të mikrofoni i lartë në flori.
Megjithatë, përveç përqeshjeve të shumta që janë bërë në llogari të tij, videoja ka nxitur kritika të ashpra ku komentuesit e videos së postuar pretendojnë se bëhet fjalë për manipulim.
“Mrekullitë nuk ekzistojnë, por njerëzit e dëshpëruar kanë dëshirë të besojnë në ato. Gjëra të tilla janë imagjinare vetëm që të përfitohet materialisht”, ka njoftuar Komisioni për promovimin dhe mbrojtjen e komuniteteve kulturore e religjioze.
Tri kompani që kryejnë shërbime funerale, pretendojnë se janë manipuluar dhe tani planifikojnë të ngritin padi kundër pastorit. Ndërkaq lidhur me këto pretendime nuk është përgjigjur thirrjes së gazetarëve kisha e pastorit Lukau. /Telegrafi/