Telegrafi

Pretendimi i imunitetit të Trump, Gjykata e lartë amerikane pranon të shqyrtojë çështjen në prill

Gjykata e Lartë do të vendosë në prill, nëse ish-presidenti amerikan Donald Trump është i imunizuar nga ndjekja penale me akuzat për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet e 2020-ës, shkruan BBC.

Gjykata e shumicës konservatore 6-3 vendosi të mërkurën të dëgjojë pretendimet e Trump, se ai duhet të mbrohet nga përgjegjësia penale.

Vendimi shënon herën e parë që gjykata shqyrton një çështje të tillë, transmeton Telegrafi.

Një panel i Gjykatës së Apelit në SHBA, ka hedhur poshtë tashmë argumentin e Trump se ai gëzon imunitet presidencial.

Trump kishte pohuar në çështjen ligjore historike se ai ishte i imunizuar nga të gjitha akuzat penale, për aktet që ai tha se i përkisnin detyrave të tij si president.

Por Gjykata e Apelit vendosi unanimisht kundër 77-vjeçarit, duke shkruar se: “Ne nuk mund të pranojmë pretendimin e ish-presidentit Trump se një president ka autoritet të pakufizuar për të kryer krime që do të neutralizonin kontrollin më themelor të pushtetit ekzekutiv – njohjen dhe zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve”.

Ai e apeloi rastin në Gjykatën e Lartë dhe kërkoi të pezullohej vendimi.

Në faqen e tij “Truth Social”, Trump përshëndeti vendimin e së mërkurës dhe pretendoi se pa imunitet “presidentët do të jenë gjithmonë të shqetësuar, madje edhe të paralizuar, nga perspektiva e ndjekjes penale dhe hakmarrjes së gabuar pasi të largohen nga detyra”. /Telegrafi/