Site icon Telegrafi

Pretendimet e çmendura të Putinit për bombën e pistë tregojnë se sa keq qëndron ushtria e tij

Hamish de Bretton-Gordon / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ushtria konvencionale e Putinit po mposhtet nga një forcë shumë më e vogël, megjithëse e mbështetur nga teknologjia dhe inteligjenca më e fundit e Perëndimit. Pretendimi i tij qesharak se Ukraina po planifikon përdorimin e një “bombe të pistë” – pajisje shpërthyese që përmban material radioaktiv – nënkupton se tani ai po i kërkon metodat më jokonvencionale të luftës.

Kjo nuk është aq befasuese kur shohim se sa keq po performon ushtria ruse, gjë të cilën – me sa duket – po e sheh edhe Putini. Përgjigja e Putinit ka qenë emërimi i gjeneralit “Armageddon”, Surovikinit, si komandantin të përgjithshëm në Ukrainë, ndërsa akuza e pistë për bombë është jashtë librit të lojës së Surovikinit.

Koncepti i bombës “së pistë” është përbindësh i vërtetë – fantazi e krijuar për të tmerruar njerëzit në Ukrainë dhe për ta lejuar Rusinë që të përshkallëzojë luftën jokonvencionale. Pretendimi është hedhur poshtë nga Franca, Britania dhe ShBA-ja, dhe OKB-ja – me kërkesë të Ukrainës – po dërgon inspektorë në dy qendrat bërthamore për të dëshmuar se kjo është e pabazë. Nuk ka pasur kurrë një sulm të suksesshëm me bombë të pista. Por, ndikimi i tyre psikologjik është dhjetë herë më i madh se efekti i tyre fizik, dhe Putini duhet të shpresojë se kjo do të thyejë vullnetin e ukrainasve.

Stili i luftës jokonvencionale i Putinit mbështetet në shndërrimin e popullatës civile në shënjestër, më shumë sesa ushtrinë kundërshtare. Dhe, në mënyrë cinike kjo ka kuptim, pasi ushtarët e tij ishin të dobët kundër ushtrisë ukrainase. Fokusi tashti është në sulmin ndaj civilëve, teksa ushtarët luftojnë në vijën e parë: duke i vrarë ata rrugës për në punë, ose fëmijët në rrugën e tyre për në shkollë. Për të plagosurit në këto sulme, rusët më pas i sulmojnë spitalet për ta parandaluar trajtimin: 500 deri tash në këtë luftë, kjo sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Rusia e testoi dhe zhvilloi konceptin e saj të luftës jokonvencionale në Siri. Kjo përfshinte përdorimin e armëve kimike, të cilave regjimi i Asadit iu drejtua sa herë që humbja dukej e pashmangshme. Rebelët ishin gati të sulmonin Damaskun në gushtin e vitit 2013, kur Asad hodhi agjentin vdekjeprurës nervor sarin, në periferi të Gotës duke vrarë më shumë se një mijë njerëz dhe duke ndaluar përparimin. Ai e theu gjithashtu rrethimin konvencional gjashtëvjeçar të Domës me bomba me fuçi klori, në vitin 2018. Armët si klori dhe bombat e pista janë mënyrë efektive morbide për shkak të terrorit që shkaktojnë dhe duhet të shpallen plotësisht të jashtëligjshme nga Kombet e Bashkuara dhe nga bota e lirë.

Ndonëse besoj se lufta bërthamore globale është shumë e pamundur, çdo gjë më pak se kjo është e mundur, veçanërisht nëse territori jetik i Krimesë së Putinit është i kërcënuar, gjë që duket gjithnjë e më e mundshme. Në luftërat jokonvencionale ekziston një kërcënim “i ndyrë” bërthamor, i cili mund të jetë pothuajse po aq shkatërrues sa një armë bërthamore në fushëbetejë, duke i kthyer stacionet e energjisë bërthamore në armë të improvizuara bërthamore – në thelb një bombë masive e “pistë”.

Në teori, Konventat e Gjenevës dhe rregullat e luftës e nxjerrin jashtë ligjit luftën jokonvencionale – por, Putini dhe gjeneralët e tij janë shumë të gatshëm t’i injorojnë të dy këto. Kryeministri i ri britanik duhet, me aleatët e NATO-s, të na sigurojë se Putini nuk do të jetë kurrë në gjendje të arrijë te armët e tij më shkatërruese jokonvencionale. /Telegrafi/

 

Exit mobile version