Shefi i Grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka bërë të ditur të mërkurën se sërish ka dështuar përpjekja e tyre për një seancë ku do të diskutohej për vdekjen e Astrit Deharit.
Ai bërë të ditur se pas dështimit në rastin e parë, kur deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj tërhoqi nënshkrimin, Vetëvendosja në bashkëpunim me AAK dhe Nismën kanë arritur ta sigurojnë edhe nënshkrimin e 40-të nga deputeti i Partisë Demokratike të Ashkalinjve, Danush Ademi.
Por, edhe kjo përpjekje e VV-së për seancë dështoi pasi deputeti Ademi sot në orët e pasdites ka tërhequr nënshkrimin, duke mbetur kështu sërish 39 nënshkrime, raporton Telegrafi.
Konjufca tha se e gjithë kjo po ndodh për shkak të intervenimit të pushtetit që sipas tij, me çdo kusht po tenton që kjo seancë të mos mbahet.
Ai tha se presioni i pushtetit dhe i kryeparlamentarit Kadri Veseli është i jashtëzakonshëm që kjo seancë të mos mbahet.
Sipas tij, arsyetimi për mos politizim të rastit nuk qëndron aspak, pasi një 26 vjeçar ka vdekur në institucionet e shtetit dhe një rast i tillë gjithsesi duhet të diskutohet.
Ai tha se nga politizimi më së shumti po vuan policia, burgjet, komponenti i hetuesisë, prokurorët, që sipas tij, po inskenojnë raste.
Konjufca u shpreh se i gjithë kjo po bëhet me qëllim që Vetëvendosje të largohet nga skenca politike dhe të shpallet terroriste. /Telegrafi/