Site icon Telegrafi

Presioni me motive politike në Maqedoni nuk denoncohet

Stefania N. nga Shkupi, e cila punon në administratën e shtetit për dy dekada, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni me motive politike i drejtuesve në institucionin ku punon, bëhet më i theksuar ndaj të punësuarve para proceseve zgjedhore.

Ajo shton se ky lloj presioni ndaj punonjësve bëhet në formë të sofistikuar.

“Po disi në formë të fshehur është ushtruar mobing politik [presion me motive politike] në mënyrë që të mos e ndjesh, në fakt të mos kesh hapësirë për ankesë. Nëse hetohet se nuk i përket partisë që e ka fituar pushtetin, kjo do të thotë se s’ke si i ikën mobingut politik në punë”, thotë ajo.

Një punonjëse nga Manastiri, e cila punon në një institucion në nivel lokal, thotë për Radion Evropa e Lirë se është viktimë e presionit me motive politike, pasi drejtuesi i institucionit ku punon ajo i takon një partie tjetër, ndryshe nga partia ku ajo është aktiviste.

“Më kërcënon me gjëra private për aktivitete të caktuara, me të cilat unë merrem. Edhe personat e afërt me drejtuesin e institucionit më kërcënojnë se, nëse vazhdoj me aktivitete partiake, pavarësisht se me to merrem jashtë orarit të punës, mund ta humbas punën pasi drejtori i takon partisë që është në pushtet. Ja deri këtu shkojnë”, thotë ajo.

Këto janë rrëfimet e dy prej qindra punonjësve në administratë që përballen me presion për motive politike në vendin e punës.

Hulumtimi i realizuar nga organizata joqeveritare, Agro Lider, ka nxjerrë në pah se 84.2 për qind e atë anketuarve, qoftë personalisht ose ndonjë i afërt i tyre, kanë qenë viktima të presionit me motive politike.

Të dhënat e këtij hulumtimi tregojnë se presioni politik bëhet më i theksuar gjatë ndryshimeve të pushtetit vendor dhe atij qendror.

Nga kjo organizatë thonë se gjatë realizimit të hulumtimit në terren kanë konstatuar se gratë në viset rurale janë më të ekspozuara ndaj presionit me motive politike.

“Në një shoqëri të politizuar siç është kjo e jona, ajo që mund të bëjmë është të jemi me të zëshëm, përkatësisht të flasim për atë që po ndodh në vendin e punës. Nëse do të jemi të zëshëm dhe të qartë dhe pa frikë e ngremë këtë si çështje, vetëm në atë rast do të ngrihemi mbi politikën dhe këtë shoqëri të politizuar, duke pasur si qëllim realizimin e të drejtave elementare të njeriut”, thotë Daniella Cvetanoska, koordinatore e projektit të realizuar nga organizata joqeveritare, Agro Lider.

Pavarësisht se presioni me motive politike është i pranishëm në masë të theksuar në vendet e punës në të gjitha institucionet e pushtetit, nga kjo organizatë thonë se ai nuk denoncohet para organeve të drejtësisë.

Arsyet janë të shumta, si turpi, ndjenja e fajit, përballja me kërcënime, si dhe mungesa e mbështetjes institucionale.

Megjithatë, problem parësor mbetet dëshmimi i presionit politik ndaj të punësuarve në institucionet e ndryshme të shtetit.

Talija Petreska, avokate, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se ato pak viktima që marrin kurajë për ta denoncuar dhunën në institucionet e shtetit përballen me shumë sfida. Ndër këto sfida Petreska përmend sigurimin e provave, sigurimin e dëshmitarëve, të cilët kanë frikë të thonë të vërtetën për kolegët e tyre, pasi druajnë se mund ta humbasin vendin e punës.

“Cilët kolegë do të dilnin në gjyq për të dëshmuar kundër drejtuesit të institucionit ku punojnë?! Pra, kur bëhet falë për mobing psikik ai shumë vështirë mund të dëshmohet kundrejt atij fizik, i cili mund të dëshmohet përmes raporteve mjekësore”, thotë Petreska.

Të drejtat e të punësuarve në vendin e punës janë të definuara me Ligjin për mbrojtje nga shqetësimet në vendin e punës, të miratuar në vitin 2013.

“Me këtë ligj rregullohen të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësve dhe të punësuarve lidhur me pengimin e shqetësimit psikik dhe gjinor në vendin e punës dhe për vendin, masat dhe procedurat për mbrojtje nga shqetësimi në vend të punës, si dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me pengimin dhe mbrojtjen nga shqetësimi në vend të punës”, theksohet në nenin e parë të këtij ligji.

Por, juristët dhe organizatat joqeveritare thonë se ky ligj ka shumë paqartësi. Sipas tyre, kjo shkakton pasiguri te të punësuarit, andaj ata hezitojnë t’i paraqesin rastet kur punëdhënësi shkel të drejtat e tyre apo ushtron presion me motive politike nga frika se mund ta humbin vendin e punës.

Ndryshe, edhe hulumtimi i Lidhjes së Sindikatave ka nxjerrë në pah se 40 për qind e të punësuarve të anketuar në Maqedoninë e Veriut, janë shprehur se kanë qenë viktima të presionit me motive politike përmes akuzave të padrejta apo kontrollit të tepruar në vendin e punës, përqindje kjo që është dyfish më e lartë sesa mesatarja në vendet evropiane./REL/

Exit mobile version