Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur optimist se do të gjendet një kompromis sa i përket masës së sigurisë për mallrat serbe në Kosovë si dhe zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA.
Ai tha se interesi i Kosovës është që të jetë pjesë e mekanizmave rajonal, mirëpo tashmë ka mbetur të gjendet modalitetet për heqjen e masës së sigurisë.
“Jam shumë optimist se qeveria do të gjejë një gjuhë të përbashkët me organizatorët e këtyre nismave rajonale. Interesi i Kosovës është që të vazhdojmë të jemi pjesë e tyre. Pozicionin e qeverisë e kemi dëgjuar, kjo është çështje e sigurisë, partnerët tanë kanë propozuar që kjo mund të zgjidhet përmes disa masave që mund të merren dhe skanerëve. Tash i përket qeverisë që të gjejnë gjuhë të përbashkët që mund të ketë marrëveshje në këtë aspekt”, tha ai.
Sipas tij, qeveria s’ka vendosur masë të sigurisë për mallrat serbe për të bllokuar CEFTA-n, mirëpo ka qenë e obliguar për shkaqe sigurie pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Pas Banjskës shqetësimi kryesor i Kosovës ka qenë që nëse ka hyrje të pakontrolluara të mallrave serbe dhe të kamionëve kjo e vendos Kosovës në një pozitë të vështirë, pasi s’mund të kishim kontrollin sa i përket hyrjes së gjërave të dyshimta, kryesisht armatimit. Për këtë kemi prit një mirëkuptim ndërkombëtarë, i cili ka qenë 1 vit, por tash siç po e shohim se Gjermania dhe shtetet të tjera janë këmbëngulës që kjo të hiqet. Ne dëshirojmë që të mos jemi pengues të funksionimit të CEFTA-s, por edhe mos të jemi aq naivë që të hyjë në Kosovë diçka që na kthehet bumerang në kuptimin e sigurisë”, theksoi Konjfuca.
Duke folur për largimin e dy deputetëve nga LVV-ja, Konjufca tha se është e drejt e tyre për të zgjedh rrugën që dëshirojnë t’i shprehin bindjet e tyre.
“Deputetët të djeshëm që i pamë po dëshirojnë të zgjedhin një rrugë tjetër, secili është i lirë me i shpreh bindjen e veta dhe shpjeguar orientimet e veta”, përfundoi ai.
Këto komente Konjufca i bëri pas pjesëmarrjes në konferencën e Institutit për Studimet e Luftës Hibride “Octopus”./kp/