Publikisht dhe privatisht, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë presion Izraelit që të mendojë me kujdes për sulmin hakmarrës kundër Iranit.
Sulmi me raketa balistike i Iranit më 1 tetor ndaj Izraelit (si përgjigje ndaj një serie veprimesh përshkallëzuese nga të dyja palët) pritej të shkaktonte një reagim të fortë nga Izraeli – një gjë për të cilën administrata e presidentit amerikan, Joe Biden nuk kishte asnjë dyshim, shkruan skynews.
Sfidë për udhëheqësin amerikan ishte të bindte Izraelin që të ishte i kujdesshëm në përgjigjen e tij, duke ditur se çdo lëvizje e tepruar mund të shkaktonte një luftë gjithëpërfshirëse rajonale që mund ta tërhiqte në konflikt edhe Amerikën – vetëm disa javë para zgjedhjeve në SHBA. Një skenar me pasoja të rënda.
Biden e dinte që kryeministri i Izraelit, Netanyahu, mund të përpiqej të përdorte këtë situatë për të ndërmarrë një sulm të madh ndaj Iranit, një mundësi që ai e kishte kërkuar prej kohësh.
Edhe pse një veprim i tillë mund të dukej tërheqës taktikisht, sidomos pas suksesit të fundit të Izraelit kundër Hezbollahut në Liban, administrata amerikane mendonte se kjo do të ishte strategjikisht shumë e rrezikshme, sepse mund të shkaktonte një konflikt më të gjerë.
Sfidë për liderin amerikan ka qenë ndikimi i kufizuar që ka pasur mbi kryeministrin izraelit gjatë vitit të fundit – në Gaza dhe më pas në Liban.
Israel strikes targets linked to missile production in Iran.
Over 100 planes were involved in the attack on Iran on Saturday, including the cutting-edge F-35.
About 20 targets were hit, including damage to Iran’s air defense system and missile production facilities. pic.twitter.com/4rBSZKZWcN
— NEXTA (@nexta_tv) October 26, 2024
Për këtë arsye, qëndrimi i Bidenit për mënyrën si Izraeli duhet të hakmerrej është shprehur publikisht në mënyrë të pazakontë.
Disa javë më parë, 82-vjeçari u tha gazetarëve në aeroport se nuk mendonte që Izraeli duhet të godiste objektet bërthamore ose të naftës së Iranit.
Në prapaskenë, diplomacia intensive ka vazhduar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken sapo ka përfunduar një turne në rajon që përfshinte një vizitë në Izrael, ku ka vazhduar presionin ndaj izraelitëve për të vepruar në një mënyrë që shmang përshkallëzimin.
Ende nuk dihet se si do të përgjigjet Irani, por amerikanët e shohin natyrën e sulmeve izraelite si të përputhshme me këshillat e Shtëpisë së Bardhë.
Ndryshe, Irani ka bërë të ditur se si pasojë e sulmit izraelit kanë vdekur dy ushtarë si dhe tre punëtorë të një fabrike që prodhon drona. /Telegrafi/