Telegrafi

Presionet ndaj Qeverisë për rritje pagash s’kanë të ndalur

Mos marrja e vendimit për rritje pagash edhe nga Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ka rritur presionin e sindikatave të ndryshme. Pas paralajmërimit të sindikatës së Arsimit, dhe asaj të Shërbyesve Civil, kësaj radhe ka kërcënuar edhe sindikata e Judikaturës. Kjo sindikatë në një njoftim lëshuar për medie ka thënë se nëse atyre nuk u rriten pagat, atëherë janë të detyruar që të ndërmarrin veprime “të pa dëshiruara për askënd por të domosdoshëm për realizimin e të drejtave të punëtoreve”.

Drejtuesit e Sindikatës së Judikaturës nëpërmjet një reagimi për media theksojnë se duan që të respektohet vendimi për rritjen e pagave për 25 për qind si dhe të aplikohet kontrata kolektive.

“Në emër të anëtarësisë kam kërkuar dhe kërkoi që premtimi i dhënë për rritjen e 25 për qind si dhe Marrëveshja kolektive të filloi së implementuari që nga janari i vitit 2015. Nëse Qeveria nuk u përmbahet premtimeve të dhëna neve jemi të shtyrë pa dashje të ndërmarrim veprime të pa dëshiruara për askënd por të domosdoshëm për realizimin e të drejtave të punëtoreve”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga kryetari i kësaj sindikate Asllan Rusinovci.

Sindikata e Judikatures përfaqëson punëtoret e administratës së të gjitha gjykatave dhe prokurorive të Kosovës”. /Telegrafi/